Presidenti i ri, Berisha takohet me Edi Ramën

Kryeministri Sali Berisha takohet me kreun e PS-së Edi Rama si një përpjekje për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Si kryetar partie, Sali Berisha është ulur me Edi Ramën në vitin 2007, kur nuk arritën të zbatonin një marrëveshje për president konsensual dhe në 2010-ën për reformën zgjedhore.
Kryetari socialist Edi Rama e kishte kërkuar një takim të tillë që në fund të muajit prill, por kryeministri shmangu vazhdimisht një takim me zotin Rama duke mos e konsideruar të nevojshëm dhe duke preferuar bisedime në nivel të kryetarëve të grupeve parlamentare apo përmes kanaleve të tjera ndërmjetësuese, ndërkohë që mblodhi disa herë aleatët e tij.
Kërkesa e socialistëve për të diskutuar edhe për çështjet e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare si dhe për imunitetet nga njëra anë, dhe propozimi nga ana tjetër i shumicës për kandidaturën e anëtarit të gjykatës kushtetuese Xhezair Zaganjori ishin argumentat e betejës mediatike që palët konsumonin kundër njëra tjetrës.
Takimi i mbrëmjes së sotme zhvillohet gjithashtu pak përpara zhvillimit të raundit të dytë të votimit në parlament, nesër në orën 10.00.