E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i ri, Bushati: Jam për Topallin e Nanon

Deputeti i PD-së, Z. Astrit Bushati e quan të parakohshëm debatin për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, por ai ka bindjen se Bamir Topi e provoi atë përmes rikthimit në politikë. Në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare”, zbardh arsyet e konfliktit mes PD-së dhe z. Bamir Topi, duke e akuzuar atë se një nga kontradiktat kryesore ka qenë mbajtja e rolit të sehirxhiut në tentativat kundër integrimit dhe të destabilizimit të Shqipërisë nga opozita, që kulmoi më 21 Janar, në sulmin masiv dhe të dhunshëm ndaj Kryeministrisë. Sipas z. Bushati përdorimi i postit të Presidentit të Republikës, për krijimin e një force politike duke shfrytëzuar dekorimet masive dhe çdo atribut të këtij posti, që nga postet në gjykatë e prokurori vetëm në këtë drejtim. Deputeti demokrat shpreh qëndrimin e tij për atë që do të zërë vendin e Bamir Topit në Presidencë. Astrit Bushati thotë se Sali Berisha dhe Jozefina Topalli janë dy kandidatura të forta për postin e kreut të ri të shtetit, por u takon atyre të vendosin nëse do të hyjnë apo jo në garën presidenciale. Deputeti Bushati kërkon ndryshime në qeveri dhe nuk fsheh faktin se aleatët e PD-së kanë marrë më shumë se çfarë u takon në kabinetin qeveritar. Ai nuk nguron të shprehet se në PD ka grupe të ndryshme, por pa dashur t’i emërtojë si klane brenda partisë në pushtet.
Z. Bushati, pse gjithë ky debat për kreun e ri të shtetit?
Sigurisht që zgjedhja e Presidentit të Republikës është çdoherë një ngjarje e rëndësishme në axhendën politike të një vendi. Në shoqërinë tonë është bërë tashmë zakon, që një debat i tillë të hapet herët, bile nganjëherë shumë herët. Mund të themi që ky debat ka filluar me kohë dhe ka qenë një retorike e vazhdueshme sidomos e mediave, që kanë ngacmuar edhe politikën. Një kontribut në këtë drejtim ka dhënë vetë zoti Topi, duke deklaruar se nuk do jetë më kandidat për president dhe se do t’i rikthehet politikës.
Mendoj që ky fillim viti ka probleme më me rëndësi për 2012-tën, ku vlen të theksohet, që duhet të ketë një jehonë të veçantë 100-vjetori i Pavarësisë me aktivitetet përkujtimore dhe promovuese për Shqipërinë dhe Kombin shqiptar. Një rëndësi të veçantë do kenë reformat e qeverisë dhe axhenda e përbashkët me opozitën, për plotësimin e rekomandimeve të BE, ligjet me shumicë të cilësuar dhe Kodi Zgjedhor, që në vjeshtë të plotësojmë kushtet për statusin e vendit kandidat të BE. Përsëri një rëndësi të veçantë do të kenë reformat dhe administrimi ekonomik i vendit në kushtet e një krize pothuajse të përgjithshme të BE dhe Euros.
Mendoj që edhe media duhet të kontribuojë në fokusimin në këto problematika kryesore të vendit.
Cilat janë arsyet e përplasjes mes mazhorancës dhe kreut të shtetit, Bamir Topi ?
Jeni shumë këmbëngulëse, në fokusimin tek kjo problematikë dhe tek zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të vendit.
Mendoj se janë disa faktorë objektivë. Në radhë të parë, besoj ka qenë moskomunikimi dhe moskonsultimi për emërimet në institucionet kryesore të drejtësisë, ku kërkohet shprehimisht nga kushtetuta, pëlqimi i Kuvendit dhe në këtë rast faktor vendimtar në Kuvend është mazhoranca.
Njëri nga faktorët kryesorë ka qenë edhe administrimi i KLD-së dhe gjyqësorit në Shqipëri, duke mos dhënë asnjë rezultat konkret në shërimin e plagëve të sistemit gjyqësor, përkundrazi. Kthimi i disa ligjeve themelore, siç janë ligji i pronave dhe ligji për dosjet e bashkëpunëtoret e diktaturës dhe sigurimit të shtetit, që kanë qenë një kalë beteje i PD-së dhe i të djathtëve shqiptarë, bile dhe i vetë Presidentit në periudhën si deputet dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së. Një nga kontradiktat kryesore ka qenë mbajtja e rolit të sehirxhiut në tentativat kundër integrimit dhe të destabilizimit të Shqipërisë nga opozita, që kulmoi më 21 Janar, në sulmin masiv dhe të dhunshëm ndaj Kryeministrisë. Dhe së fundmi, përdorimi i postit të Presidentit të Republikës, për krijimin e një force politike, duke shfrytëzuar dekorimet masive dhe çdo atribut të këtij posti, që nga postet në gjykatë e prokurori vetëm në këtë drejtim. Besoj mjaftojnë, që kjo mazhorancë mos të jetë në unison dhe mbështetëse e kandidaturës së Topit, në postin e Presidentit.
Krijimi i partisë së re nga z. Topi a do e dëmtojë PD-në në zgjedhjet e 2013-tës?
Them që do të ketë të njëjtin rezultat ose dhe më të vogël se partitë që kanë dalë në vite nga gjiri i Partisë Demokratike, si Aleanca Demokratike apo PDR-ja.
A ka ende z. Topi mbështetës të tij brenda grupit parlamentar të PD-së ?
Nuk kam përshtypjen se ka sot mbështetës brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
E mbështesni zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe jo të dalë nga PD-ja përmes 71 votave?
Kur kemi votuar ndryshimet kushtetuese në vitin 2009-të, mendoj se të gjithë deputetët dhe forcat politike propozuese dhe votuese të tyre, kemi pasur parasysh që Presidenti i ardhshëm do të jetë një kandidaturë e propozuar nga mazhoranca, cilado të ishte ajo, PD apo PS. Pra këtë model zgjodhëm. Besoj se mazhoranca e sotme do të propozojë një figurë publike, që do të plotësojë të gjitha kriteret e pashkruara për President të Republikës, siç janë integriteti, përgjegjshmëria, profesionalizmi dhe atdhedashuria.
Disa deputetë të PD-së janë deklaruar pro kandidaturës së z. Berisha për President. Ju personalisht si e shikoni emrin e Berishës sërish në krye të shtetit? A është kjo kandidatura më e fortë e PD-së ?
Sigurisht që do të isha dakord. Është e kotë të diskutojmë, që në rast se Kryetari i PD-së dhe mazhorancës, figura historike dhe më përfaqësuese e Partisë Demokratike, do të ketë si synim që hapi tjetër në karrierën politike të tij, të ishte Presidenti i Republikës, patjetër që ashtu do të ishte.
Por me sa dimë dhe kemi dëgjuar nga vetë Kryeministri, ai nuk do të jetë kandidaturë e ardhshme për President.
Brenda PD-së flitet edhe për emrin e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli për postin e presidentes së re të Republikës. Sipas jush, cilat janë shanset e saj për të qenë pasardhëse e Bamir Topit në Presidencë?
Sigurisht, flasim për kandidaturat e mundshme dhe ato që përmendët ju, deri tani janë figurat më të spikatura të Partisë Demokratike. Zonja Topalli plotëson në të gjitha aspektet dhe pa asnjë ekuivok, figurën e Presidentit të Republikës. Ajo ka tashmë një eksperiencë të madhe politike, e mandatuar 5 herë si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, dy herë kryetare dhe dy herë nënkryetare e Parlamentit. Ka treguar aftësi në drejtimin e Kuvendit dhe ka luajtur një rol të veçantë në krahasim me paraardhësit e saj, atë të diplomacisë parlamentare, duke luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e Shqipërisë dhe Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe vendet mike. Sigurisht ka dhe një trashëgimi familjare me kontribute të pamohueshme në 100 vitet e pavarësisë së vendit. Por përsëri është atribut i vetë Topallit, nëse hapi i ardhshëm në karrierën e saj politike do të jetë Presidenti i Republikës.
Po për sa i përket kandidaturës së Fatos Nanos për president, nëse emri i tij do të marrë dhe miratimin e PD-së, ju do ta votonit ?
Nëse zoti Nano do ishte kandidaturë e mazhorancës për postin e Presidentit të vendit, sigurisht që do e votoja.
Prej kohësh flitet pa zë për trashëgiminë politike z. Berisha në PD. Kë shikoni në krye të PD-së pas disa vitesh?
Sigurisht që është folur. Që në gjysmë të viteve ’90-të, është diskutuar se kush do jetë pasardhësi i Berishës dhe të gjithë që kanë diskutuar një gjë të tillë, kanë dështuar në parashikimet e tyre. Nuk dua t’i shtohem dhe unë listës së gjatë të parashikuesve. Zoti Berisha gëzon shëndet të plotë dhe është në kulmin e aftësive intelektuale dhe profesionale dhe me një ngarkesë maksimale pune që e përballon mrekullisht. Sigurisht, asnjë nuk është i përjetshëm dhe PD tashmë me një eksperiencë të gjatë politike, organizative dhe qeverisëse, ka ndërtuar institucionet dhe profilin e saj të spikatur. Prandaj si një parti demokratike e madhe, me eksperience e histori, dhe me peshë në çdo skaj të Shqipërisë do të arrijë pa vështirësi të mëdha të zgjedhë drejtuesit e saj, në çdo kohë.
A ka klane brenda Partisë Demokratike ?
Me gjithë kompaktësinë që ka treguar Partia Demokratike deri tani, si çdo forcë politike, përbëhet dhe punon me njerëz që kanë ardhur me vullnetin e tyre, për të realizuar ëndrrat, bile dhe interesat e tyre dhe të njerëzve që ata përfaqësojnë. Në këtë kontekst, brenda një force politike mund të manifestohen, sidomos kur është në qeveri, kontradikta mes grupesh të ndryshme me interesa të ndryshme, qoftë krahinore, qoftë profesionale, qoftë përfaqësues të grupeve të interesit etj. Por mund të ketë edhe grupime miqsh që mbështesin njëri-tjetrin, në funksion të një aksesi më të madh në vendimmarrje. Sigurisht që ka edhe brenda PD-së, por nuk kanë qenë aq të spikatura.
Çfarë e rrezikon fitoren e PD-së në zgjedhjet parlamentare të 2013-tës?
Patjetër që unë jam optimist në fitoren e mazhorancës së sotme parlamentare në vitin 2013-të, për punën që ka bërë dhe po bën këto tetë vite qeverisje, që investimet në infrastrukturë, dyfishimi i pagave, futja në NATO, liberalizimi i vizave, energjia elektrike 24 orë e shumë e shumë të tjera që nuk do dilte një artikull i veçantë për këtë punë, por nuk po zgjatem se ju gazetarët kur flasim fjalë të mira nuk gëzoheni shumë. Ju kërkoni lajmin e scoop-in në çdo rresht. Me gjithë përpjekjet e mëdha të qeverisë me anë të reformave, si ato për QKR-në e QKL-në, prokurimin elektronik, ligjeve për urbanistikën e një sërë masash të tjera, plaga që nuk është shëruar është korrupsioni. Duhet të bëhen përpjekje të mëdha në këtë drejtim, jo vetëm nga qeveria, por dhe institucionet e tjera, si prokuroria e gjykatat e policia e shtetit, për shërimin e kësaj plage në administratën publike.
Përveç rezultateve të deritanishme, duhen rezultate të tjera në këtë vit, që në fushatën e ardhme veprimi i mazhorancës në këtë drejtim të jetë një sukses dhe jo një dështim.
Mendoni se PD-ja ka braktisur militantët e saj për shkak të rrogëtarëve?
Edhe ky raport, administratë e militantë, është delikat në marrëdhëniet tona si forcë politike. Ne sigurisht që kemi ardhur në qeverisje me një program dhe gjithashtu me një staf të specializuar, për ta implementuar atë program. Nga ana e qeveritarëve të PD, nuk ka pasur ndërmarrje radikale ndryshimesh në administratë, në krahasim me vitet 1997-2005. Kjo nga njëra anë i ka shërbyer punës, për realizimin e reformave si dhe thithjen e mendimit të specializuar, por nga ana tjetër, në disa raste ka thyer një marrëdhënie të vendosur më parë, me një pjesë të militantëve tanë të cilët nuk e kanë gjetur veten pjesë të saj. Në vite jemi munduar të sqarojmë pozicionet tona me ata, por jo gjithmonë jemi kuptuar.
Aleanca me LSI-në a e ktheu PD-në më majtas apo i dha më shumë vlera dhe sipas jush kush tjetër duhet të bëhet pjesë e aleancës me demokratët për zgjedhjet e 2013-tës?
Jo, nuk e ka kthyer PD-në më majtas dhe as i ka shtuar vlera PD-së. LSI është një parti me një elektorat me bazë të majtë, por në të vërtetë më duket si moto e saj pragmatizmi politik, me nuanca elektorale të majta, siç janë mbrojtja e LANC-it, oficerëve të ushtrisë dhe disa data simbol të së majtës shqiptare, siç është 29 Nëntori etj. Ndërsa aleanca do të jetë kryesisht ajo e 2009-tës dhe me LSI.
A jeni për ndryshime në qeveri, pasi u bë kaq shumë kohë që kryeministri Sali Berisha nuk ka bërë asnjë ndërhyrje në kabinetin qeveritar?
Do isha edhe për ndryshime në qeveri, jo se kam ndonjë gjë të veçantë me kabinetin aktual, por besoj se do të sillte një angazhim më të madh të administratës në implementimin e reformave dhe një frymë të re pune.
Mendoni se në qeveri, aleatët kanë marrë shumë më tepër seç u takonte duke i kushtuar jo pak PD-së për shkak të lëshimeve të bëra?
Besoj se kanë marrë diçka më shumë se i takon, në bazë të proporcioneve të zgjedhjeve të fundit, por ishte normale që PD të lëshonte në këtë drejtim. Tek përgjegjësia e administrimit të disa institucioneve që drejtohen nga aleatët do të kisha kërkuar më shumë përgjegjshmëri, pasi përgjegjësia elektorale më e madhe është e PD-së dhe kostot në këtë drejtim i merr PD-ja dhe jo aleatët.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›