E Enjte, 5 Nëntor 2026

Presidenti i ri, PD: Kandidatët t’i propozojë opozita! Të zgjidhet me 84 vota dhe 5 vitet e fundit të mos jetë i aktivizuar në asnjë parti

Partia Demokratike, në një paketë propozimesh sipas të cilave duhet të zgjidhet Presidenti i ri i vendit, kërkon që kreu i ri i shtetit të zgjidhet nga opozita.

Sipas PD, është opozita që duhet të propozojë emrat e 4 kandidatëve, emra që do të kalojnë paraprakisht në konsultim publik, dhe më pas maxhoranca të zgjedhë 2 prej tyre.

“Palët bien dakord paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kriteret e dakordësuara publikohen menjëherë; Opozita Parlamentare propozon 4 kandidatë për President të Republikës, që vijnë në mënyrë proporcionale nga fusha të ndryshme, të cilat paracaktohen në kriteret e caktuara sipas pikës 1. Këto propozime paraprakisht i nënshtrohen konsultimit publik; Mazhoranca përzgjedh 2 kandidatë që gëzojnë besimin më të madh. Një Komision i përbërë nga 6 anëtarë: 3 shumica parlamentare dhe 3 pakica parlamentare, shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej kandidatëve. Kandidatura e përzgjedhur i nënshtrohet votimit në seancë plenare”, thuhet në draftin e PD.

Po ashtu selia blu kërkon që Presidenti i ri të zgjidhet me shumicë të cilësuar prej të paktën 84 vota. Kujtojmë se zgjedhja e Presidentit të Republikës kalon në 5 raunde, ku  në raundin e  parë, të dytë dhe të tretë duhet që kandidati të marrë jo më pak se 3/5 e votave për t’u zgjedhur President, ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë zgjidhet me jo më pak se 50% të votave.

Në kriteret për kandidatët, PD cilëson se përveç kritereve kushtetuese, Presidenti i Republikës duhet të përmbushë edhe kritere specifike, një prej të cilëve përmbushja e kushtit që gjatë 5 viteve të fundit, nuk duhet të jetë angazhuar në politikë aktive partiake, në kuptimin që të mos ketë mbajtur funksione politike në organet shtetërore dhe as pozicione në organet drejtuese të ndonjë partie politike.

Këto propozime do të diskutohen sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që pritet të fillojë në 14:00.

Kriteret e përcaktuara nga PD për zgjedhjen e Presidentit:

1. Kandidati për President të Republikës, gjatë 5 viteve të fundit, nuk duhet të jetë angazhuar në politikë aktive partiake, në kuptimin që të mos ketë mbajtur funksione politike në organet shtetërore dhe as pozicione në organet drejtuese të ndonjë partie politike.

2. Kandidati për President të Republikës, përgjatë përvojës profesionale të tij, duhet të ketë dëshmuar publikisht aftësi të spikatura të integritetit, në kuptimin e kontributeve politike, ku të ketë dëshmuar aftësi për të vendosur në situata të vështira dhe aftësi për të përballur presionin/ndikimin e papërshtatshëm politik. Dëshmitë për angazhimin dhe përkushtimin e tij në kauza të rëndësishme civile përbëjnë avantazh;

3. Kandidati për President të Republikës duhet të bëjë transparencë të plotë dhe të dokumentuar të të gjitha të ardhurave dhe ligjshmërisë së pasurisë, si dhe të pagimit të të gjitha detyrimeve tatimore, bazuar në dokumentacionin zyrtar të institucioneve shtetërore përgjegjëse.

4. Kandidati për President i Republikës nuk duhet të ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi sekret, si dhe në periudhën 29.11.1944 – 02.07.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaҁme. Dëshmitë për angazhimin dhe përkushtimin e tij për zhdukjen dhe crrënjosjen e komunizmit përbëjnë avantazh.

5. Kandidati për President i Republikës duhet të plotësojë kushtet e pastërtisë së figurës në drejtim të dekriminalizimit.

6. Kandidati për President i Republikës duhet të ketë një përvojë në punën e tij për të paktën 15 vjet, ku të ketë dëshmuar integritet moral dhe profesional të lartë dhe të provuar, si dhe të ketë dëshmuar paanësi politike në veprimtarinë dhe qëndrimet e tij publike, me qëllim rritjen e besimit të publikut tek figuara që zgjidhet si President. Dëshmitë për përkushtimin e Presidentit ndaj vlerave themelore kushtetuese, ndaj procesit të integrimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe vlerave euro-atlantike përbëjnë avantazh./ rtsh.al

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›