E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e fëmijës, policia blindon Gjykatën e Kurbinit

Vendi i ngjarjes në Mamurras

Nën masa të rrepta sigurie është paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin autori i vrasjes së ndodhur më 5 qershor në Mamurras, Vladimir Shkreta. Policia e Kurbinit ka formuar një rreth sigurie së bashku me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, ndërsa janë kontrolluar të gjitha hyrje-daljet për në Gjykatë, në mënyrë që të shmanget ndonjë hakmarrje e mundshme nga familja Llani. Rreth orës 10:00, dy furgonë të Policisë kanë sjellë në Gjykatë 33-vjeçarin Vladimir Shkreta e së bashku me të edhe kushëririn e tij, Fabian Shkreta, 23 vjeç, i cili akuzohet për moskallëzim krimi dhe fshehje të provave. Jashtë ambienteve të Gjykatës janë vërejtur një numër i madh i efektivave të Policisë, ndërsa nuk është lejuar asnjë person që ti afrohet perimetrit të sigurisë. Në sallën e gjyqit nuk ka marrë pjesë asnjë prej familjarëve të fisit Shkreta, kjo për të shmangur incidentet, ndërsa autori i pritës ndaj familjes Llani, ku mbeti i vrarë një fëmijë 9-vjeçar dhe u plagos xhaxhai i tij, nuk ka reaguar para togave të zeza. Ai e ka pranuar krimin e kryer, ndërsa i është komunikuar masa e sigurisë burg pa afat. E njëjta masë sigurie është dhënë edhe për kushëririn e tij, Fabian Shkreta, ndërsa do të presin tashmë nisjen e gjykimit ndaj tyre. Me të njëjtat masa sigurie është bërë edhe transportimi i Vladimir dhe Fabian Shkretës për në Burgun e Shënkollit menjëherë pas komunikimit të masës së sigurisë. Ndërkohë, ende nuk ka rënë në pranga autori tjetër i kësaj ngjarjeje, Altin Shkreta, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Ngjarja e rëndë që tronditi opinionin ndodhi të martën në Mamurras. Si pasojë e një grindjeje, dy vëllezërit Shkreta akuzohen se i zunë pritë Muharrem Llanit, por plumbat e qëlluar goditën për vdekje nipin 9-vjeçar.                               gj.f

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›