E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Lufta kundër trafikut të fëmijëve është dhe do të mbetet çështja më parësore e qeverisë

-          Roli dhe kontributi i Koalicionit shqiptar “Bashkë kundër Trafikimit të fëmijëve” është i pazëvendësueshëm në luftën kundër këtij trafiku dhe qeveria do të bashkëpunojë ngushtë për një partneritet reciprok në këtë luftë.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në konferencën e organizuar nga Koalicioni shqiptar “Bashkë kundër Trafikimit të Fëmijëve”, me tematikë; analiza e situatës së trafikimit të fëmijëve dhe koordinimi i përpjekjeve për monitorimin dhe efikasitetin në këtë luftë.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Ambasadori  i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  në Tiranë, zoti John Withers, përfaqësuesja e UNICEF-it në Tiranë, znj. Carry Auer, ministra e zv/ministra të kabinetit të qeveritar, drejtues të organizatave të ndryshme që trajtojnë çështjet e trafikimit të fëmijëve,  përfaqësues të pushtetit vendor, etj.

Ambasadori amerikan në Tiranë, z. Withers, vlerësoi punën e koalicionit dhe bashkëpunimin e tij me sektorin publik dhe atë privat, në mbrojtje të fëmijëve.  Zoti Withers u shpreh se Ambasada amerikane do të qëndrojë përkrah strukturave shqiptare, në mënyrë që Strategjia për Luftën kundër Trafikut të Fëmijëve, e prezantuar në takimin e sotëm nga Koalicioni BKTF, të bëhet realitet.     

“Qeveria ime e ka njohur progresin dhe arritjet e rëndësishme që ka shënuar Shqipëria, edhe përmes aktit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit në NATO, që u bë nga Senati vetëm javën që shkoi. Ky akt ka një rëndësi shumë të madhe, por edhe përçon një vlerë simbolike shumë të madhe.Kjo simbolikë nuk qëndron vetëm në atë Aleancë gjeostrategjike që ne, në mënyrë të drejtë e të duhur, kemi ndërtuar, por në atë lidhje të fortë që ne kemi krijuar me njëri-tjetrin, në përkushtimin për të përmirësuar edhe më tej shoqëritë tona”, tha Ambasadori Withers.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për punën e shkëlqyer të bërë nga koalicioni BKTF gjatë këtyre viteve. “Ju, së bashku me organizatat tuaja, keni qenë avokatë të shkëlqyer të  interesave të fëmijëve të Shqipërisë dhe me veprimet tuaja, u keni ofruar atyre një mbështetje të gjithanshme. për të cilën ata kanë pasur shumë nevojë”, tha Kryeministri.

Kryeministri tha se për qeverinë kjo çështje është dhe do të mbetet një prioritet që do të vazhdojë të luftohet në kuadër të luftës me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, ndërsa theksoi se janë marrë një seri masash dhe janë bërë hapa të rëndësishme në drejtim të kuadrit ligjor.

“Fokusimi në grupet me rrezik të lartë, është kusht i domosdoshëm. I kam kërkuar Ministrisë  së Arsimit dhe Shkencës dhe së shpejti do të ndërmarrim nismën “Zero tolerancë” ndaj fenomenit të largimit të fëmijëve nga shkolla, pasi integrimi i fëmijëve në shkolla është një garanci që ata t’u shpëtojnë kthetrave të tregtarëve të fëmijëve”, u shpreh Kryeministri.   Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi se sot, në bazë të ligjit të ri të Gjendjes Civile po bëhet regjistrimi i të gjithë fëmijëve romë, si dhe po bëhen përpjekje që në këto zona të vihen në funksion shkolla dhe ambiente ushqimi, si një mundësi për t’i mbrojtur, për t’i mbajtur dhe  shkolluar fëmijët e këtij komuniteti.

Duke vlerësuar hartimin e strategjisë së re për luftën kundër trafikimit të fëmijëve dhe kontributin e madh të këtyre organizatave në këtë drejtim, Kryeministri Berisha u shpreh se është shumë i domosdoshëm bashkëpunimi reciprok me strukturat shtetërore  në zbatimin e suksesshëm të tij. “Kemi vendosur që të gjitha  qendrat e rehabilitimit t’i marrë në patronazh të plotë financiar ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Por, kjo nuk do të thotë aspak se ato do të mbyllen ndaj jush. Përkundrazi, roli dhe kontributi juaj është i pazëvendësueshëm në këtë bashkëpunim”, vijoi Kryeministri.

Më tej, Kryeministri vuri në dukje se është në detyrimin e ministrisë së Brendshme dhe ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale që të bashkëpunojnë ngushtë me bashkitë dhe komunat, me njësitë e mbrojtjes së fëmijëve, të cilat vlerësohet se vërtetë kanë dhënë shumë në këtë drejtim, që ta shtrijnë këtë bashkëpunim dhe mision  në të gjitha qytetet e vendit. “Shqipëria nuk është një vend i pasur, por ky vend mund t’i garantojë çdo fëmije ushqim, shkollë, libra dhe veshje. E them këtë sepse kur sheh fëmijë në rrugë që lypin, kjo tregon një dorë të shtrirë dhe një gisht të treguar ndaj qeverisë, ndaj shtetit, i cili nuk ka vendosur mekanizmin solid të mbrojtjes së tij”, theksoi Kryeministri.

Në fjalën e  tij, Kryeministri u shpreh:

“Kam ardhur sot së pari për t’ju shprehur respektin më të madh, mirënjohjen më të thellë për punën e shkëlqyer që ju keni bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Ju, së bashku me organizatat tuaja, keni qenë avokatë të shkëlqyer të interesave të fëmijëve të Shqipërisë dhe me veprimet tuaja, u keni ofruar atyre një mbështetje të gjithanshme për të cilën ata kanë pasur shumë nevojë.

Gjithashtu, unë erdha për të dëgjuar raportin tuaj, me bindjen më të thellë se ky raport  është i dobishëm për qeverinë time, për institucionet e vendit, pasi ekspertiza që ju keni në këtë fushë është shumë e vyer, një ekspertizë e plotë, për të cilën qeveria ka nevojë.

Ju operoni në një fushë që përbën dhe meriton ndjeshmërinë dhe përkushtimin më të madh. Ish Sekretari i Shtetit,Colin Powell, vite më parë, deklaroi se “trafikimi i fëmijëve duhet të cilësohet krim kundër njerëzimit”. Unë e kam quajtur shumë të drejtë këtë qëndrim të Sekretarit Powell. Asnjë forcë skllavërie nuk është më e shëmtuar sesa trafikimi i fëmijëve. Ndaj, ju keni dhënë një kontribut të madh dhe të domosdoshëm. Nuk jam në gjendje të  vlerësoj shifrat, por jam i sigurt se shifrat zyrtare janë larg atyre reale. Në këtë çështje jam plotësisht dakord me ju se, cilësimet burokratike e zyrtare të fenomenit, janë të ngushta dhe nuk përfshijnë të gjithë spektrin e këtij problemi.

Dua t’ju siguroj se për qeverinë, kjo çështje është dhe do të mbetet një prioritet që do të vazhdojë të luftohet në kuadër të luftës me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Trafikimi i fëmijëve është dhe do të mbetet çështja më parësore.    

Janë marrë një seri masash dhe janë bërë hapa të rëndësishme në drejtim të kuadrit ligjor në këtë aspekt. Por, të gjithë jemi dakord se, parandalimi i këtij fenomeni është  qëndrimi më i mirë dhe lufta më e suksesshme  kundër tij. Në këtë drejtim, fokusimi në grupet me rrezik të lartë, është kusht i domosdoshëm. I kam kërkuar Ministrisë  së Arsimit dhe Shkencës dhe së shpejti do të ndërmarrim nismën “zero tolerancë” ndaj fenomenit të largimit të fëmijëve nga shkolla. Integrimi i fëmijëve në shkolla është një garanci që ata t’i shpëtojnë kthetrave të tregtarëve të fëmijëve.  

Sot ka një ligj të ri të Gjendjes Civile dhe po bëjmë regjistrimin e të gjithë fëmijëve romë. Ju ftoj të bashkëpunojmë, së bashku me koalicionin tuaj për regjistrimin e tyre me përparësi. Do të bëjmë çmos që të  vëmë në funksion në këto zona shkolla me ushqim, si një mundësi për t’i mbrojtur, për t’i mbajtur dhe  shkolluar fëmijët e këtij komuniteti që ka përjetuar padrejtësi, diskriminim shekullor. Siç dihet, jemi anëtarësuar në dekadën e romëve, me qëllimin më të mirë për të bëjë çdo përpjekje për të ndryshuar jetën e kësaj pjese të popullsisë në Shqipëri, të cilët janë edhe kontingjenti, apo pjesa e popullatës, më e atakuar nga ky fenomen.

Kemi hartuar një strategji të re në këtë drejtim dhe në hartimin e saj ju keni dhënë kontributin tuaj. Unë vlerësoj faktin që ju e ndjeni nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë me strukturat shtetërore, por edhe këto struktura e kanë të nevojshme këtë gjë. Kemi vendosur që të gjitha qendrat e rehabilitimit t’i marrë në patronazh të plotë financiar ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Por, kjo nuk do të thotë aspak se ato do të mbyllen ndaj jush. Përkundrazi, roli dhe kontributi juaj, është i pazëvendësueshëm në këtë bashkëpunim. Është në detyrimin e ministrisë së Brendshme dhe ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale që të bashkëpunojnë ngushtë me bashkitë dhe komunat, me njësitë e mbrojtjes së fëmijëve, të cilat vlerësohet se vërtetë kanë dhënë shumë në këtë drejtim, që ta shtrijnë këtë bashkëpunim dhe mision në të gjitha qytetet e vendit. Shqipëria nuk është një vend i pasur, por ky vend mund t’i garantojë çdo fëmije ushqim, shkollë, libra dhe veshje. E them këtë sepse kur sheh fëmijë në rrugë që lypin, kjo tregon një dorë të shtrirë dhe një gisht të treguar ndaj qeverisë, ndaj shtetit, i cili nuk ka vendosur mekanizmin solid të mbrojtjes së tij. Ndaj, i kam kërkuar ministrisë së Punës projektin që nuk lejon të ketë më asnjë fëmijë “me dorë të shtrirë” në rrugët e Shqipërisë. Kjo ministri do ta ketë këtë, projektin kryesor. Duhet ta fillojmë nga fëmijët. Programet e fëmijëve duhet të jenë  përparësi absolute.

Ne po shkojmë drejt dyfishimit të buxhetit për arsimin. Unë nuk them se ky buxhet nuk është shumë i madh, por ai lejon ministrinë që të përqendrojë një pjesë të tij për fëmijët me rrezik të lartë, për integrimin e çdo fëmije në shkollë.

Edhe njëherë dua t’ju falënderoj për punën e shkëlqyer që keni bërë gjatë gjithë këtyre viteve, pasi ju keni qenë një zë shumë i fuqishëm në mbrojtje të  fëmijëve shqiptarë, në mbrojtje të interesave të atyre qenieve që nga të qenit të pambrojtur, përfundonin në labirintet e skllavërisë.

Dua t’ju siguroj se qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me ju dhe të gjitha ato kërkesa dhe nevoja që ju parashtroni në kuadër të partneritetit reciprok, do të bëhet realitet. Ju keni një meritë të madhe, sepse keni qëndruar solid në misionin tuaj të mbrojtjes së fëmijëve dhe jeni një nga grupet e shoqërisë civile më efiçent, më solid dhe më i përkushtuar.

Faleminderit!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›