E Enjte, 5 Nëntor 2026

Presidenti i ri, ku ndahen PS dhe PD, procedurat, kur shpërndahet parlamenti në rast se nuk zgjedh dot kreun e shtetit

Zgjedhja e Presidentit të ri të Shqipërisë, aq sa duket komplekse nga pikëpmja e një konsensusi politik parlamentar mes pozitës dhe opozitës, në thelb është një procedurë shumë e qartë dhe e kthjellët nga pikpamja kushtetuese. Kompleksiteti i problematikës më së shumti qëndron në nominimin e emrit të kandidatit për President, apo të kandidatëve, se sa në procedurat parlamentare për zgjedhjet e tij.

Deri më tani ende nuk ka një emër të ofruar nga shumica apo opozita parlamentare për postin e Presidentit. Gjithësesi, kjo problematikë nuk eklipson procedurat parlamentare për zgjedhjen e tij, pavarësisht kritereve që subjektet politike po hartojnë për figurën e ardhshme të Presidentit.

PS deri më tani, siç u bë e qartë sot edhe në mbledhjen e kryetarëve të grupeve parlamentare, nuk është se ka hartuar një dokument mbi kriteret e presidentit. Socialistët, më së shumti, po i qëndrojnë kritereve që përcakton Kushtetuta për figurën e Presidentit, por duke nënvizuar se ai nuk do të duhet të jetë një shëmbëlltyrë e Presidentit ende në detyrë, Ilir Meta.    

Nga ana tejtër, grupi parlamentar i PD-së, i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, ka hartuar një draft në të cilin përcaktohen, sipas PD-së, kriteret që duhet të plotësojë Presidenti i ri, kritere që, sipas konstitucionalistëve, kapërcejnë dhe dhunojnë të drejtën kushtetuese të individit për tu zgjedhur. Sipas tyre, figura e individit nuk ka të bëjë me familjen, pasi kjo është një ngjashmëri me biografinë familjare të shtetit monist.   

Sipas kushtetutës, përtej projekteve apo dëshirave të subjekteve politike, President mund të zgjidhet një shtetas shqiptarë që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç.

Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.

Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.

Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës.

Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.

Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt.

Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj.

Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.

Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij. /a.meta

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›