E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i ri, raundi i dytë i votimit pa asnjë kandidat

Në Kuvend do të zhvillohet sot në orën 10:00 raundi i dytë i votimit për zgjedhjen e presidentit.  Edhe ky raund pritet të dështojë pasi takimi i zhvilluar dje mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së Edi Rama nuk dha asnjë rezultat konkret.
 

Në deklaratat e tyre, kryetarët e dy partive kryesore theksuar se secili kishte shprehur qëndrimet e tij pa gjetur pika të përbashkëta.
Sipas kryeministrit Berisha shumica është e vendosur të kërkojë konsensusin sipas asaj që përcakton kushtetuta në raundet e para të votimit.
 

Ndërsa Rama saktësoi se në takim nuk ishte folur për emra dhe se kishte kërkuar që "të ndërtohet një kornizë parimore brenda së cilës mund të gjendet konsensusi dhe opozita mund të japë konsensusin"
 

Mblidhet grupi parlamentar i PS-së

Ndërkohë një orë para seancës parlamentare është mbledhur  edhe grupi parlamentar i PS-së për të diskutuar në lidhje me qëndrimin që do të mbajë në raundin e dytë të votimit për Presidentin e vendit.  Edhe pse pas përfundimit të mbledhjes nuk është dhënë asnjë deklaratë nga PS-ja gjasat janë që qëndrimi të jetë gati i njëjtë me atë të raundit të parë, që u mbajt të mërkurën e javës që shkoi, në datën 30 maj, për shkak se në takimin Rama-Berisha, që nuk u fol për ndonjë emër konkret.

Komisioni i ligjeve miraton raportin

Gjithashtu sot është mblidhur edhe Komisioni i ligjeve i cili ka miratuar edhe raportin në të cilin zyrtarizohet se asnjë firmë deputetetësh nuk është paraqitur si mbështetje për emra konkretë për President.  Sipas raportit, votimi në raundin e dytë do të quhet i ezauruar edhe pse nuk ka asnjë kandidat zyrtar.
 

Procedurat
Në Kushtetutë është vendosur që procesi i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të bëhet në pesë raunde nëse zgjedhja nuk arrihet në raundin e parë dhe kandidatët të marrin 84 vota të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të kryhet brenda shtatë ditëve, derisa kandidatët që do të jenë në garë të sigurojnë një mbështetje maksimale. Çdo votim do të kryhet në mënyrë të fshehtë dhe pa debat.

“Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni”, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës.
 

Mazhoranca ka propozuar si kandidat të saj për president të vendit, anëtarin e gjykatës kushtetutese Xhezair Zaganjori por kjo candidaturë duket se nuk do të votohet sërish sot nga opozita. Kreu i PS-së Edi Rama deklaroi dje pas takimit me kryeministrin Berisha se opozita nuk do të votojë kandidaturën e  Zaganjorit ndërsa shprehu bindjen se çështja e presidentit duhet zgjidhur dhe se raundet nuk janë për t`u konsumuar, por janë për të gjetur një zgjedhje konsensuale mes opozitës dhe mazhorancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›