E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i ri, takimi Berisha-Rama pa rezultat konkret

Ka përfunduar pa asnjë rezultat konkret takimi i zhvilluar në mbrëmje mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë socialiste në opozitë Edi Rama për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit. Në deklarimet e secilës palë pas afër 90 minutash bisedime, u la të kuptohej qartë se secili kishte shprehur qëndrimet e veta pa gjetur pika të përbashkëta.

Kryeministri Berisha deklaroi pas takimit se shumica është e vendosur të kërkojë konsensusin sipas asaj që përcakton kushtetuta në raundet e para të votimit. “Në këtë takim shpreh qëndrimin dhe vendosmërinë e mazhorancës për një përpjekje për zgjidhje konsensuale të këtij problemi, siç e përcakton Kushtetuta. Mazhoranca ka bërë hapat e saj, ka bërë tërheqjet e veta dhe paraqitjen e saj nga një fushë jashtë interesave të ngushta partiake. Besojmë se edhe opozita do të bëjë hapat e saj. Nuk them se ne erdhëm këtu me një rezultat konkret. Në këtë takim u shprehën qëndrimet dhe pozicionet si dhe u laboruan modalitetet e përpjekjeve për konsensualitet", deklaroi kryeministri Berisha.

Ndërsa kreu i PS-së Edi Rama, deklaroi për mediat se nuk ka asnjë zhvillim në drejtim të një rezultati konkret, por shprehu besimin se ekziston një bazë për të vazhduar diskutimin me qetësi dhe respekt reciprok.

“Patëm një shkëmbim të këndvështrimeve. Do bëjmë gjithçka kemi në dorë për ti dhënë shqiptarëve një president me votat e qeverisë dhe të opozitës. Shtruam vijën tonë të qasjes dhe garantuam se qëllimi ynë është ta zgjidhim këtë çështje me dakordësi. Në lidhje me kandidaturën e paraqitur nga qeveria përsëritëm qëndrimin e njohur publikisht. Pika e takimit me opozitën nuk mund të ndodhë mbi emrin e kandidatit të paraqitur njëanshmërisht. Ne qëndrojmë në pozicionin parimor që nuk mund të hyjmë në një garë emrash pa përcaktuar vullnetin për ta zgjidhur me konsensus këtë çështje" theksoi më tej Rama ndërsa shtoi se tryeza e sotme ishte një vijë e hapur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›