Përfaqësuesja e OSBE për Median vizitë në Tiranë

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, do të zhvillojë sot një vizitë në Tiranë. Gjatë vizitës 3 ditore në Shqipëri, Mijatoviç do të takohet me zyrtarët kryesorë të qeverisë, politikëbërësit në fushën e medias, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë, në Tiranë.
Mijatoviç do të takohet me Kryeministrin Sali Berisha, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, Ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi, Ministrin e Inovacionit dhe të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo, Kryetaren e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, Endira Bushati, si dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Radio-Televizionit publik Shqiptar, Petrit Beci.
Përfaqësuesja do të bisedojë, gjithashtu, me anëtarët e Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, si dhe me kryetarët e shoqatave të gazetarëve dhe organizatat e medias. Mijatoviç do të mbajë një ligjëratë për studentët e Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, më 6 qershor.