PD: Rama dhe PS kërkojnë përsëritjen e Otrantos dhe kthimin e regjimit të vizave
Partia Demokratike ka reaguar sot në lidhje me kërkesën e vendorëve të PS-së për heqjen e moratoriumit të skafeve. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së Silvi Bardhi theksoi se moratoriumi i skafeve nuk ka ulur turizmin siç ka deklaruar PS-ja.
Pretendimi se ndalimi i skafeve ka dëmtuar turizmin në qytetet e qeverisura nga socialistët eshtë sa absurd aq edhe qesharak. E vërteta është se pas ndalimit të skafeve numri i turistëve në këto qytete Jo vetëm që nuk është ulur po është rritur me rreth 15 herë dhe në shkallë vendi ky numër është rritur me 13 herë dhe konkretisht Shqipëria priti vitin e kaluar mbi 4 milionë turistë e vizitorë kundrejt vetëm 300 mijë qe ajo priti në vitin 2004. Moratoriumi i skafeve bëri të mundur avokatin e shkëlqyer nga fqinjët tanë, madje garancinë e tyre për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në mbarë Europën për qytetarët shqiptare. Sigurisht që për disa pushtetarë që vetë lëvizin me pasaporta diplomatike, lëvizja e lirë e qytetarëve nuk ka rëndësi madje mirë është që ajo mundësisht të anullohet sepse përbën një sukses të qeverisë së kësaj mazhorance thekson zëdhënësja.
Sipas PD-së shqiptarët kanë nevojë për reforma që i bashkojnë me qytetarët europianë dhe jo me trafiqe që i largojnë nga Europa. “Partia Demokratike denoncon dhe hedh kategorisht poshtë këtë qëndrim të z.Rama dhe krerëve të tjerë të Partisë Socialiste me të cilin për interesa të pasurimit të pushtetarëve të saj me paratë e pista të trafiqeve kriminale, kërkojnë të anulojnë lëvizjen e lirë e të rikthejnë vizat për qytetarët e thjeshtë shqiptarë, të rikthejnë sërish Otranton në varrezën e zezë të të rinjëve shqiptarë. Shqipëria dhe qytetarët e saj kanë nevojë për reforma që i afrojnë me Bashkimin Europian dhe jo trafiqe dhe skafe që i largojnë nga Europa” thekson PD-ja
Ndërkohë të zgjedhurit vendorë të PS në bashkitë dhe komunat bregdetare, të cilat i kanë bërë thirrje Kuvendit të votojë për heqjen e tij, pasi sipas tyre lënia në fuqi e tij penalizon ekonominë e këtyre njësive vendore.