E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti italian, titull mirënjohje për Kadarenë

Ceremonia “Commendatore dell’ordine al merito della Repubblica italiana” i jepet shkrimtarit për kontribut në fushën e kulturës, e veçanërisht të letërsisë

Dje në mbrëmje, në një koktej të organizuar pranë rezidencës së ambasadorit italian në Tiranë, Saba D’Elia, shkrimtarit Ismail Kadare i është dorëzuar titulli i nderit, “Commendatore dell’ordine al merito della Repubblica italiana”, dhënë nga Presidenti i Republikës italiane, Giorgio Napolitano, dy vjet më parë. Ky titull mirënjohjeje i është dhënë shkrimtarit shqiptar me motivacionin “Për merita të larta në fushën kulturore dhe në veçanti në fushën e letërsisë, jo vetëm në nivel shqiptar dhe europian, por ndërkombëtar”. Mirënjohja iu dorëzua Kadaresë nga ambasadori D’Elia. është zgjedhur data 23 prill, Dita Ndërkombëtare e Librit, që shkrimtarit shqiptar t’i akordohet ky titull, por është shfrytëzuar edhe rasti i aktiviteteve të përgjithshme që po organizohen në Shqipëri, nën moton “Shqipëri-Itali 2010, dy popuj, një det, një miqësi”. “Commendatore dell’ordine al merito della Repubblica italiana” është një titull mirënjohje që Presidenti i Republikës italiane e akordon në fushat e letërsisë, artit, ekonomisë dhe për angazhimet sociale, humanitare, shërbimet civile dhe ushtarake. Shkrimtari Ismail Kadare ka marrë edhe më parë tituj mirënjohje në shtetin fqinj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›