E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri – Itali, bashkëpunim në luftën kundër krimit



TIRANË - Forcimi i bashkëpunimit për luftën kundër krimit mes Prokurorisë italiane dhe asaj shqiptare, ishte tema kryesore e një takimi që prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, zhvilloi të mërkurën në Itali me kryeprokurorin e Antimafies italiane, Piero Grasso. Zyra e Shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme bëri të ditur se gjatë takimit mes Kryeprokurores Rama dhe Kryeprokurorit Grasso, diskutimi është përqendruar në gjetjen e metodave për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve respektive. Qëllimi i bisedimeve mes dy zyrtarëve të lartë, ishte rënia dakord për shpejtimin dhe thjeshtëzimin e shkëmbimit të informacionit mes palëve, në kuadër të hetimeve që zhvillohen nga prokuroritë e dy shteteve. Sipas burimeve zyrtare, palët në takim u angazhuan reciprokisht për të përshpejtuar ekzekutimin e letër-porosive për llogari të procedimeve penale. Kryeprokurorja Rama dhe Prokurori i Antimafies Italiane, Grasso, diskutuan gjithashtu për koordinim dhe analiza të të gjitha të dhënave që kanë të dyja prokuroritë në funksion të bashkërendimit të punëve për të bëre sa më efikase luftën kundër krimit të organizuar, si në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Bisedimet u fokusuan edhe në përpjekjet e përbashkëta për të bërë të mundur njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të gjykatave italiane për shtetasit shqiptarë. Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, prej dy ditësh ndodhej për një vizitë zyrtare në Itali, ku po realizon takime me krerë të organeve të drejtësisë së këtij shteti. Gjatë kësaj vizite, Kryeprokurorja Rama shoqërohet nga disa anëtarë të stafit të saj. Vizita disaditore e delegacionit të lartë të Prokurorisë shqiptare në shtetin fqinj, bëhet me ftese të autoriteteve italiane.

Gjykata, 30 vjet burg për dy trafikantë heroine

TIRANË - Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi sot me 30 vjet burg dy të pandehur, të cilët gjykoheshin për trafik heroine. Trupi gjykues që drejtohej nga gjyqtari Ardit Mustafai, ka dënuar me 16 vjet burg Shpëtim Hushi dhe me 14 vjet Petrit Xhepën, ndërkohë që seancën e kaluar prokuroria kishte kërkuar përkatësisht 17 dhe 13 vjet burg. Sipas akuzës, dy të pandehurit në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë tentuar të trafikojnë në 24 janar të vitit të kaluar 17.5 kilogramë heroine, destinacioni i së cilës ishte Italia. Sasia e drogës u zbulua në automjetin e shtetasit Shpëtim Hushi, gjatë kontrollit në pikën doganore të Portit të Durrësit.

13 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›