Arreston dy shtetas, tentuan të grabisnin me dhunë një lokal
TIRANË - Dy shtetas u arrestuan në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, të dyshuar për konsumim të veprave penale të “Vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”, si dhe të “Kanosjes për dhënien e pasurisë”. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se Muhamed Hasa, 45 vjeç dhe Bardhyl Xhihani, 57 vjeç, të dy nga Kavaja, kanë hyrë me forcë gjatë paradites së djeshme në ambientet e një lokali në hyrje të Kavajës, duke i kërkuar me dhunë shtetasit Dashamir Curri, pronar i lokalit, t’iu jepte xhiron ditore. Më pas ata e kanë goditur me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore. Ka qenë ndërhyrja e policisë që ka shmangur një përfundim tragjik të këtij episodi, ndërkohë që materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për hetime të mëtejshme.
Ministria e Brendshme kërkon nga pala e malazeze zbardhjen e incidentit në kufi
TIRANË - Ministria e Brendshme kërkon hetimin e ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë të personave nga Policia malazeze. Me anë të një deklarate për shtyp shprehu dikasteri i Punëve të Brendshme shprehu shqetësimin për ngjarjen e ndodhur më 10 Qershor 2008, në liqenin e Shkodrës, përballë pikës kufitare të Shën Gjergjit, ku shtetasi shqiptar Hysen Skënderaj, 57 vjeç, është qëlluar nga dy punonjës të policisë kufitare malazeze në kohën kur ishte duke peshkuar në ujërat tona territoriale.
Në deklaratën e tij, zëdhënësi i ministrisë së Brendshme tha se “strukturat tona policore kanë zhvilluar një takim me palën e Malit të Zi, për sqarimin e incidentit, ndërkohe që materialet mbi këtë ngjarje i kanë kaluar prokurorisë. Ministria e Brendshme, duke e konsideruar këtë ngjarje si tejet të rëndë e të papranueshme, në kundërshtim të plotë me frymën e mirë të bashkëpunimit reciprok mes dy policive dhe dy vendeve, kërkon nga strukturat përkatëse të Malit të Zi, angazhimin maksimal për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë.”
13 Qershor 2008