E Diel, 1 Nëntor 2026

“Presidenti nuk ishte pjesë e rekomandimeve – reformat, detyrë emergjente”

01-07-2012 / Gazeta 55

Stefan Fyle, optimist për statusin kandidat të Shqipërisë

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Stefan Fyle u shpreh dje se janë të gjitha mundësitë që Shqipëria të përfitojë statusin e vendit kandidat në vjeshtë të këtij viti. Në një intervistë ekskluzive për dokumentarin e realizuar nga gazetarja e ABC News, Erisa Zykaj, mbi rrugën 20 vjeçare të integrimit të Shqipërisë drejt familjes evropiane, komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle, tregon, se zgjedhja e presidentit nuk ka qenë aspak një rekomandim i 13-të për Shqipërinë.
Sipas tij, rreziku qëndronte në lidhjen e çështjes së presidentit me reformat e integrimit, gjë që e ka bërë arritjen e një kompromisi shumë të vështirë. Sipas Fyle, paketa e nëntorit duhej të zbatohej veç. Ajo mbetet detyrë emergjente.
“Rreziku është që duke bërë lidhje mes çështjeve, gjendesh në një situatë ku je i bllokuar dhe i izoluar. Sa më shumë çështje sjell mbi tryezë, aq më e vështirë bëhet për të gjetur një kompromis. Kjo ka qenë ajo që kisha në mendje kur kam deklaruar: Gjeni një kompromis për paketën e nëntorit, në mënyrë që të jeni më të hapur dhe të lirshëm për zgjidhjen e probleme të tjera të rëndësishme. Nuk ishte në asnjë mënyrë një tentativë për të krijuar një rekomandim numër 13 apo 14”!
Por sipas komisionerit, klasa politike mund ta kapërcejë këtë sfidë dhe t’ia dalë për statusin e kandidatit.
“Në Shqipëri ka ambicie dhe energji. Ne shohim karakterin gjithëpërfshirës të forcohet. Nuk kam asnjë arsye të jem pesimist”, tha ai.
Fyle foli për sfidat e integrimit të Shqipërisë edhe dy ditë më parë, duke shprehur qartë se BE do të bashkëpunojë ngushtë me presidentin e zgjedhur, Bujar Nishani në mënyrë që vendi të përmbushë reformat për integrimin.
“Ne e kemi përshëndetur presidentin e ri, ne e  respektojmë atë dhe jemi të gatshëm të punojmë me të. Ka një axhendë ambicioze reformash që Shqipëria duhet të kryejë. Shpresoj, që presidenti dhe të gjithë forcat politike do të mobilizohen për të realizuar rekomandimet kryesore dhe veçanërisht ato që duhen përfunduar. Koha po kalon dhe puna është sfiduese”, u shpreh dy ditë më parë,  Fyle gjatë një prononcimi.
Në intervistën e tij për dokumentarin e realizuar nga gazetarja, Erisa Zykaj, mbi rrugën 20 vjeçare të integrimit të Shqipërisë drejt familjes evropiane, Stefan Fyle kërkoi nga politika shqiptare që të shpëtojë në realizimin brenda afateve të të gjithë rekomandimeve për integrimin në BE.
“E përmenda Shqipërinë me të gjithë besimin se forcat politike dhe shoqëria shqiptare do t’i kryejë këto reforma. Nuk besoj, se do të jetë mirë për Shqipërinë dhe rajonin nëse një vit tjetër është i humbur. Ndaj po pres progres për zbatimin e rekomandimeve kyçe të paketës së nëntorit”, deklaroi më tej ai.
Aktualisht, sfida e politikës shqiptare për t’i çelur rrugë statusit të vendit kandidat, është reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare. Kuvendi ka rimandatuar komisionin e posaçëm për konkludimin e ligjit elektoral brenda datës 12 korrik, kur edhe do të mbahet në Bruksel takimi i komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. Njëkohësisht, diskutimet mes palëve do të vazhdojnë për rregulloren e parlamentit dhe kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë, ndryshime të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›