E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti pret në një takim kreun e Komisionit të Digave të Mëdha, profesor Farudin Hoxhën

Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, i ka bërë thirrje politikës dhe institucioneve të shtetit që të rrisin bashkëpunimin në situatën e katastrofës së shkaktuar nga përmbytjet. Presidenti i Republikës e ka dhënë apelin e vet pas një apeli me kreun e Komisionit të Digave të Mëdha, njëkohësisht “babanë” e kaskadës së Drinit, profesor Farudin Hoxha. Gjatë një takimi, Presidenti Topi dhe profesor Hoxha kanë diskutuar me hollësi për situatën e ndodhur, shkaqet, por edhe mundësitë për shmangien e katastrofës. Mësohet se gjatë takimit është folur me hollësi për të gjitha aspektet e shpërthimit të emergjencës së përmbytjeve dhe kohën e duhur për hapjen e portave. Ndërkaq, pas takimit, kreu i shtetit shqiptar ka dhënë mesazh optimist për qytetarët, duke iu referuar të dhënave shkencore të digave të kaskadës së Drinit. Presidenti i Republikës ka deklaruar se “situata është në përmirësim të vazhdueshëm dhe natyrisht që kjo do të influencojë ndjeshëm që edhe zonat e përmbytura të dalin gradualisht duke sjellë një tjetër frymë optimizmi sa më shpejt nga ajo gjendje e krijuar”.
Ndërkaq, duke ardhur te thelbi i qëndrimit të numrit një të Republikës, Topi deklaroi se “ka një mesazh që unë dëshiroj të jap sot si President i Republikës në vazhdim të atij mesazhi që kam dhënë nga Dajçi dhe ky është që të gjithë pa përjashtim, të gjitha institucionet, mbarë politika, të gjithë qytetarët duhet të rrisin ndjeshëm bashkëpunimin, frymën e solidaritetit, e cila është tradicionale për shqiptarët. Pavarësisht nga retrospektiva dhe direktivat politike, ne në të tilla raste duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin me ç’të mundemi për të dalë sa më shpejt dhe për ta kthyer në rrjedhë normale”. Kreu i shtetit ka bërë me dije se analiza e ngjarjes dhe nxjerrja e përgjegjësive të bëhet pas kalimit të fazës së emergjencës: “Të gjithë së bashku sot duhet të fokusohemi te dalja sa më shpejt të jetë e mundur nga situata e zonave të përmbytura. Qytetarët kanë nevojë përveç ndihmës direkte, përveç një organizimi kompleks, i cili do të realizohet, për një mesazh optimist. Ju siguroj që mesazhi më optimist, të cilin e rimarr nga profesor Farudini, është se situata në kaskadën e Drinit përmirësohet dhe ka elemente të larta të sigurisë”! Kreu i Komitetit të Digave të Mëdha, Farudin Hoxha, pasi ka ripërsëritur mesazhin se “nuk do të ndodhë absolutisht asgjë, që kaskada e Drinit është e sigurt dhe do të rrijë ashtu siç ka ndenjur deri më sot”, ka bërë thirrje që pas mbylljes së inventarit të dëmeve të bëhet analiza e shkaqeve që sollën katastrofën. “Padyshim që në mbarim të kësaj ngjarjeje kaq të madhe, besoj se të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, edhe specialistët dhe teknikët e kësaj fushe do të merren me analizën e këtij problemi për të bërë që herë tjetër të tilla gjëra të mos ndodhin”, deklaroi profesor Farudin Hoxha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›