E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen tragetet. Udhëtarët e gdhijnë natën në port

Moti i keq që ka mbërthyer të gjithë vendin ka shkaktuar probleme dhe në Portin më të madh të vendit, atë të Durrësit. Forca e detit ka thyer spirancën e një anijeje tregtare, duke e nxjerrë në breg, ndërsa mijëra udhëtarë kanë mbetur në port gjatë natës, pasi Kapitaneria e Durrësit ka pezulluar përkohësisht lundrimin e trageteve dhe ankorimin e tyre për të shmangur incidentet detare dhe siguruar jetët njerëzore. Dallgët e forta, kanë këputur spirancën e anijes tregtare “Renvi 4” mbi një mijë tonëshe, që ndodhej e strehuar në radë.
Era e ka nxjerrë mjetin lundrues në zonën e plazhit, në sektorin “Apolonia”. Për shkak të motit të keq dhe cekëtinës, mjetet e rimorkimit nuk kanë mundur të ndërhyjnë. Në Kapitanerinë e Portit Detar të Durrësit bëhet e ditur se së shpejti do të organizohet një operacion nxjerrjeje, ndërsa anija nuk rrezikon të ndotë ujërat detarë në situatën në të cilën ndodhet. Gjithsesi, anija tregtare shqiptare me pronar durrsak, e cila strehohej prej disa kohësh në radën portuale dhe ishte pa ngarkesë, e dalë në breg rrezikon të fusë ujë brenda e të mbytet. Ndërkaq, disa mijëra emigrantë që kanë prenotuar më parë udhëtimin e tyre janë detyruar të kalojnë natën e gjatë mes së shtunës dhe së dielës në automjetet e tyre dhe autobusë, pasi Kapitaneria si masë sigurie për jetët e tyre ka pezulluar përkohësisht lundrimin e trageteve që pritej të niseshin drejt Portit të Barit.
Gjatë orëve të para të së dielës kanë mundur të dalin nga porti 3 tragetet që ndodheshin të ankoruara, ndërsa 3 të tjerë për shkak të erës së fortë kanë mbetur në radën e portit pa mundur të ankorohen në terminalin e trageteve deri mesditën e djeshme. I vetmi që ka mundur të niset natën e së shtunës ka qenë një traget kontejnerësh, tip Ro-ro, ndërsa trageti i parë me njerëz dhe mjete është nisur falë manovrave të kujdesshme të shkëputjes nga kalata vetëm rreth orës 02:30 të së dielës për të mbërritur mesditën e djeshme pa probleme në Bari. Ai është ndjekur edhe nga dy tragetet e tjera të linjës Durrës-Bari. Ndërkaq, pasditen e djeshme kanë nisur lundrimin edhe tragetet e tjera të cilat e kaluan natën në radë, pasi manovrat për ankorimin e tyre nuk qenë të sigurta. Të orientuara nga mjetet e pilotazhit të kapitanerisë ato mundën të ankorohen, marrin pasagjerët dhe më pas të dalin nga porti detar për të vazhduar lundrimin drejt vendit fqinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›