Presidenti, pritet takimi Rama-Berisha, i pranishëm edhe Meta

Kryeministri Sali Berisha takim me kryetarin e PS-së, Edi Rama
Sot është paralajmëruar një takimi mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së, Rama, në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Gjithashtu mësohet se në takim, krahas krerëve të grupeve parlamentare Gramoz Ruçi e Astrit Patozi, të cilit do të shoqërojnë në takim Ramën e Berishën, do të jetë i pranishëm edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta. Takimi pritet të zhvillohet rreth pasdites, pasi kreu i qeverisë Berisha do jetë sot në Prizren ku në orën 11.00 do marrë pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e 134 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Të pranishëm do jenë dhe autoritetet më të larta të Kosovës.
Takimi Rama-Berisha vjen vetëm disa ditë pas dorëheqjes së kandidatit të mazhorancës për president, Xhezair Zaganjori, që u refuzua që në fillim nga opozita si një kandidaturë e njëanshme.
Berisha ka ripërsëritur se kishte sakrifikuar tre raundet e para Topallin si kandidaturë dinjitoze, vetëm për konsensusin me opozitën, ndoshta për të dhënë ndonjë sinjal se mund ta hedhë në tavolinë nëse nuk gjen konsensusin me Ramën. Për një kandidaturë politike janë shprehur dhe eksponentë të lartë të PD-së, të cilët thanë se për shkak të përpjekjeve të Rmës për bllokim, por dhe për shkak se kandidatët politikë e mbajnë presionin, duhet patjetër të garojë një potencial politik. /E.L/