Hashim Thaçi kërkon rifreskim të kabinetit qeverisës
Shmangen zgjedhjet e parakohshme
Kryeministri kosovar pritet të njoftojë këto ditë ndryshimet në radhët e ministrave brenda koalicionit qeverisës me LDK-në
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të njoftojë partitë në koalicionin qeverisës, PDK-në dhe LDK-në, me vendimin e tij për rifreskimin e kabinetit aktual, një proces që tashmë është pranuar nga partitë në koalicion. Sipas radios “Europa e Lirë”, dy partitë në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë në pritje të vendimit të kryeministrit Hashim Thaçi për listën e emrave të ministrave që do të largohen dhe atyre që do të rifreskojnë qeverinë aktuale të Kosovës. Partitë partnere në koalicion janë pajtuar që të ketë një rifreskim të kësaj qeverie. Këto hapa të PDK-së dhe LDK-së konsiderohen si një përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, pas përplasjeve të shumta që kishin dy partitë në koalicion gjatë fushatës dhe zgjedhjeve lokale. Nënkryetari i PDK-së, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se përplasjet gjatë zgjedhjeve lokale ishin një zhvillim normal në demokraci, pasi PDK-ja dhe LDK-ja janë dy partitë më të mëdha dhe garojnë për më shumë pushtet në nivelin lokal. Kurse në nivelin qendror, ai thotë se qeverisja do të vazhdojë me disa ndryshime. “Natyrisht që nevoja për ngritjen e cilësisë gjithmonë ekziston. Ne do t’i shohim ato pika, ku ka mundësi që të përmirësohet gjendja, jo me logjikën e ndonjë revolucioni, por me logjikën e lëvizjeve të natyrshme, që do të krijojnë efektivitet dhe efikasitet më të madh qeverisës në vendin tonë”, thotë Kuçi. Thaçi do t’u propozojë partive në koalicion ndryshimet në qeveri, dhe pasi të marrë aprovimin e tyre, kryeministri vendos për këto ndryshime, pa pasur nevojë për miratimin në Kuvend. Aktualisht qarkullon si opsion largimi i dy apo tre ministrave që vijnë nga radhët e PDK-së dhe po aq nga radhët e LDK-së. Gjatë vlerësimeve për punën e qeverisë, kryeministri Thaçi në vazhdimësi ka deklaruar se qeveria dhe ministrat e kabinetit të tij qeveritar janë shembull i qeverisjes së mirë në të gjithë rajonin. Megjithatë, duket se edhe kjo qeverisje ka nevojë për ndryshime dhe këtë e konfirmon edhe LDK-ja, përmes nënkryetarit të saj, Lutfi Haziri. “Flasim për një kabinet qeveritar, ku ka ministra nga radhët e LDK-së, PDK-së dhe nga radhët e minoriteteve, të cilët vazhdojnë të flenë në qeveri dhe të mos e japin kontributin ashtu siç duhet. Presim rolin e kryeministrit dhe natyrisht që edhe ne do ta kemi rolin tonë. Pra, LDK-ja do ta ketë vulën e vet të punës edhe në këtë çështje”, thotë Haziri. Analistët kanë veçuar tre momente si goditje të rënda për qeverinë “Thaçi”. Së pari, kritikat e ashpra të zyrtarëve të LDK-së gjatë fushatës elektorale drejtuar qeverisë dhe afrimi i saj me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në nivelin komunal. Së dyti, deklarimi i zyrtarëve të PDK-së për prishjen e koalicionit me LDK-në e më pas ideja për rifreskimin e qeverisë dhe, së treti, rasti i Nazim Bllacës dhe deklaratat e tij publike për përfshirje në krime dhe implikime të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës në ato raste. Rifreskimi i qeverisë, sipas tyre, mund të lejojë që ekzekutivi i Thaçit të mund të vazhdojë mandatin deri në afatin ligjor, që nënkupton fundin e vitit 2011, sidomos tani kur janë shtuar kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sidoqoftë, mbetet sfidë nëse PDK-ja dhe LDK-ja do të arrijnë që edhe pas ndryshimeve të ruajnë shumicën e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, ku ka deputetë nga të dyja partitë, të cilët, mes dy opsioneve, haptas janë shprehur në favor të zgjedhjeve dhe jo rifreskimit të qeverisë.
Tadiç nesër në Kosovë
Prishtina pranon vizitën, por vetëm nëse në kuadrin fetar
Prishtina zyrtare ka vendosur të japë sërish OK-in për të lejuar presidentin serb, Boris Tadiç, të vizitojë Kosovën, por vetëm si vizitë të karakterit fetar. Kërkesa e presidentit serb, Boris Tadiç, për të vizituar Kosovën, përkatësisht Manastirin e Deçanit, me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse, ka marrë përgjigje pozitive nga ana e Qeverisë së Kosovës. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj konfirmoi për radion “Europa e Lirë”, se vizita e Tadiçit do të lejohet, por me kusht që ajo të mbetet në kuadër të karakterit fetar. “Ai vjen në shtetin e Kosovës dhe nuk mund të keqpërdorë qëndrimin e tij për fjalime politike. Këto janë edhe vërejtjet që i janë bërë ICO-së (Zyra Ndërkombëtare Civile) dhe në këtë mënyrë i lejohet vizita presidentit të Serbisë”, tha Manaj. Presidenti serb, Boris Tadiç, ka njoftuar përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, se dëshiron të vizitojë Kosovën më 7 janar, kur edhe janë Krishtlindjet Ortodokse. Këtë kërkesë, përfaqësuesit europianë ua kanë përcjellë institucioneve të Kosovës. Zëdhënësja e Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Julia Reuter, përmes një deklarate me shkrim i tha radios “Europa e Lirë”, se zyrtarët europianë janë konsultuar ngushtë me qeverinë në lidhje me vendimin për të lejuar ose jo vizitën e Tadiçit. “Bashkimi Europian do të vazhdojë t’i ofrojë mundësitë e kontaktit mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të kontribuojë në ngritjen e raporteve të mira fqinjësore në përputhje me perspektivën rajonale”, tha “Reuters”. Por Manaj tashmë konfirmoi se vizita me kushte është përgjigjja që do t’i përcillet presidentit serb, përmes përfaqësuesit të BE-së. Por analistët kosovarë e shohin këtë vizitë, si një vazhdimësi të provokimeve që Serbia i bën Kosovës. Agron Bajrami tha se institucionet e Kosovës nuk duhet të zgjedhin heshtjen përballë këtij provokimi.
“Mendoj se institucionet e Kosovës e kanë për detyrë që t’i trajtojnë qasjet e tilla negative, që vijnë nga Serbia dhe Beogradi. Po ashtu, mendoj se ka ardhur koha që për të tilla zhvillime, institucionet të konsultohen më shumë me njëri-tjetrin dhe më pak me faktorin ndërkombëtar, që duket se për të ruajtur “qetësinë”, insiston që Prishtina zyrtare t’i mbyllë sytë para provokimeve dhe tendencave të tilla destabilizuese nga Beogradi”, u shpreh Bajrami. Ai tha se institucionet e Kosovës dhe elita politike duhet të ndryshojnë mentalitetin politik dhe me sjelljen e tyre të tregojnë se Kosova me të vërtetë është e pavarur. “Mendoj se Tadiç duhej të ftohej nga presidenti Sejdiu për një takim të presidentëve rajonalë dhe jo që ai të vijë në Kosovë pa ftesë dhe të sfidojë, në mënyrën më të vrazhdë, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, shtoi Bajrami. Presidenti serb, Boris Tadiç, shkoi për herë të fundit në Kosovë, më 17 prill të vitit të kaluar, kur vizitoi Manastirin e Deçanit me rastin e ditës së Pashkëve Ortodokse. Ai hyri në territorin kosovar, pas një kërkese që i kishte bërë Zyrës së Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Europian, Piter Feith, dhe me miratimin e institucioneve qendrore në Kosovë. Këto të fundit patën tërhequr vërejtjen se, nëse presidenti i Serbisë do të bënte çfarëdo deklarate politike, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në mënyrë private apo zyrtare.
Sejdiu: Strukturat paralele të shuhen menjëherë
Presidenti Fatmir Sejdiu priti dje në një takim shefin e EULEX-it, Iv de Kermabon dhe zëvendësshefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Fletcher Burton, me të cilët diskutoi për veprimet e vazhdueshme të Serbisë, nëpërmjet strukturave paralele, të cilat kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës. “Presidenti Sejdiu shprehu shqetësimet e tij, në veçanti për veprimet e fundit të Serbisë, që paraqesin investim të drejtpërdrejtë në strukturat paralele dhe në aktivitetet e tyre ilegale. Duke kundërshtuar vendimin e fundit të Serbisë për emërimin e gjyqtarëve për të punuar në gjykatat paralele në Kosovë, presidenti Sejdiu theksoi se Republika e Kosovës ka një sistem të vetëm dhe unik gjyqësor dhe çfarëdo tentimi për ta cënuar atë, është absolutisht i papranueshëm dhe kundërligjor”, thuhet në një njoftim të Presidencës. Sejdiu kërkoi mbështetje nga EULEX-i dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, që të ndërmerren masa urgjente për shuarjen e strukturave paralele dhe parandalimin e veprimeve të tjera destruktive të Beogradit. Po ashtu, ai kërkoi që të vazhdohet përkrahja e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë. “Republika e Kosovës është e përkushtuar për zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisarit, që përfshin edhe shuarjen e menjëhershme të strukturave paralele. është obligim i të gjithë institucioneve të Kosovës, që në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë të ndërmarrin të gjithë veprimet e duhura për ta realizuar këtë obligim”, theksoi presidenti Sejdiu. Presidenti Sejdiu çmoi bashkëpunimin me EULEX-in, duke shprehur gatishmërinë e thellimit të këtij bashkëpunimi në të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.