Presidenti serb pritet të vizitojë së shpejti Kosovën
Në një intervistë për televizionin publik “RTS”, Tadiç ka theksuar se qëllimi i vizitës në Kosovë është për të treguar se Serbia nuk ka hequr dorë nga shteti më i ri i Evropës, ose siç e quan ai, nga krahina jugore e saj.
Duke i bërë një përmbledhje arritjeve të vitit 2009, presidenti serb e ka cilësuar si fitore mosvënien e njohjes së pavarësisë së Kosovës si kusht për integrimin në BE.
“Është e qartë që edhe ato shtete evropiane që nuk kanë në plan të tërheqin njohjen e Kosovës nuk do e detyrojnë Serbinë ta njohë atë”, ka deklaruar Tadiç për RTS.
Deklarata e presidentit serb për të vizituar Kosovën vjen vetëm pak ditë pasi homologu i tij kosovar Fatmir Sejdiu hodhi poshtë mundësinë që t’i dërgojë atij një ftesë për vizitë.
Fatmir Sejdiu është në përgatitje të një samiti të presidentëve të rajonit, i cili pritet të mbahet në qytetin e Prizrenit.