Spanja mbështetje Shqipërisë për liberalizimin e vizave
Kujtojmë se në fillim të vitit 2009, Spanja do të marrë kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian. Garancia është dhënë nga Rubalcaba, gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë Lulzim Basha. Ministri Rubalcaba e ka siguruar Ministrin Basha se në funksionin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, ai do të angazhohet maksimalisht për shqyrtimin pa vonesë të propozimit formal të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, sapo të kenë përfunduar misionet e monitorimit. Ministri Basha e informoi homologun spanjoll, mbi progresin e bërë nga Shqipëria në fushën e sigurisë së dokumentave të identitetit dhe të sigurisë së kufijve. Basha i bëri të ditur homologut spanjoll se brenda një kohe të shkurtër janë pajisur me pasaporta biometrike mbi 350 mijë qytetarë shqiptarë, e ndërkohë Shqipëria zotëron sot një sistem tërësor të kontrollit dhe menaxhimit të integruar të kufirit sipas standarteve të vendeve Schengen.Ministrat Basha dhe Rubalcaba vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes strukturave ligjzbatuese të të dy vendeve, e posaçërisht realizimin me sukses të disa operacioneve të përbashkëta policore. Basha dhe Rubalcaba ranë dakord për nënshkrimin e një marrëveshjeje mes policisë shqiptare dhe policisë spanjolle në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.Në këtë kontekst, Basha dhe Rubalcaba ranë dakord edhe për kryerjen e shpejtë të procedurave për vendosjen e oficerëve të kontaktit në Spanjë dhe Shqipëri për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin mes strukturave policore shqiptare dhe spanjolle. Gjatë vizitës në Spanjë, Basha u prit në një takim edhe nga zv/kryeministri dhe Ministri i Politikave të Territorit të Spanjës Manuel Chavez.