E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti u është qarë europarlamentarëve mbi RTSH-në; po ne kujt ti qahemi?

Share

Europarlamentari Victor Bostinaru ka qenë më i qartë e më gojëbrisk se të tjerët në deklaratat e tij mbi atë që ka ndodhur e ndodh në Tiranë e mbi marrëdhëniet mes BE-së e Shqipërisë. Ka bërë disa nënvizime mbi gjendjen e media-s e mbi sistemin e drejtësisë (eficiencën e këtij të fundit e lidhi edhe me ecurinë apo fatin e gjyqit ndaj Ilir Metës, ska gjë se njëherë e një kohë të dy duhet të kenë qenë miq armësh brenda Internacionales Socialiste), ka ngritur zërin i shock-uar kundër tentativës së pushtetit për të cilësuar si puçistë kreun e shtetit, kreun e prokurorisë e kreun e SHISH-it, dhe ka nxjerrë në shesh ndonjë copëz bisede të bërë me të këtushmit. Presidenti [i Republikës] na tha dje që Radio dhe TV shtetëror sillen në mënyrë të njëanshme; ato janë shumë të njëanshme, dhe këtë e thotë Presidenti, që është simbol i vendit tuaj, tha ai.

Nuk ka dyshim, që Presidenti ka bërë shumë mirë që u ka theksuar eurokratëve përdorimin stalinist që u bëhet radios e televizionit publik, por mirë do ishte që këtë kritikë e ankesë ta bënte fort e qartë edhe për opinionin publik shqiptar. Nuk do ta kish komprometuar hiç postin, nëse një denoncim të tillë do ta bënte në vijimësi dhe me tone të forta; ashtu si dhe kritika të tjera të forta, të cilat ngrihen mbi respektin e principeve e praktikave të shtetit të së drejtës e të demokracisë.

*respublica.al

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›