E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Presidenti ukrainas Zelensky mbërrin në SHBA, takohet me Biden

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe gruaja e tij, Jill, pritën presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë, ku ishte vendosur tapeti i kuq i rasteve të veçanta. 

Presidenti ukrainas mbante veshur uniformën e tij të zakonshme ushtarake. Të dy presidentët shtrënguan duart dhe u përqafuan, përpara se të pozonin për foton zyrtare.

Zelensky tha gjatë takimit se është një nder i madh që ai është në SHBA. Udhëheqësi ukrainas, duke iu referuar vizitës së tij dje në qytetin e vijës së parë të Bakhmut, u shpreh se një kapiten ukrainas i kërkoi që ti jepte çmimin e tij ushtarak presidentit Joe Biden, duke u shprehur se ai është një “president shumë i guximshëm”.

Biden falënderoi Zelenskyn dhe deklaroi se dëshiron ta kontaktojë kapitenin për ti dërguar një dhuratë në këmbim.

Mbërritja në SHBA

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur tashmë në SHBA. Kjo u konfirmua për mediat amerikane nga një zyrtar. Presidenti ukrainas po shkon tani në Uashington, ku pritet të takohet me Presidentin e SHBA, Joe Biden.

“Ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj brutale kundër infrastrukturës kritike në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara mirëpresin Presidentin Volodymyr Zelenskyy në Uashington, DC sot për të nënvizuar angazhimin tonë ndaj popullit të Ukrainës”,- tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken në një deklaratë, duke shtuar se SHBA do të ofrojë “shtim të mbështetjes ushtarake për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet nga sulmi i vazhdueshëm brutal dhe i paprovokuar i Rusisë”.

Agjenda

Ora 12:00 me orën lokale (17:00 GMT): Volodymyr Zelensky zbarkon në bazën e Forcave Ajrore Andreës, Maryland

14:00 (19:00 GMT): Presidenti i SHBA Joe Biden mirëpret homologun e tij ukrainas në Shtëpinë e Bardhë në lëndinën e famshme të Jugut

14:30 (19:30 GMT): Dyshja zhvillon një takim dypalësh në Zyrën Ovale

16:30 (21:30 GMT): Zelensky dhe Biden pritet të mbajnë një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë. Mendohet se ata do të shpallin një paketë të re ndihme sigurie, me vlerë rreth 2 miliardë dollar, duke përfshirë shpërndarjen e sistemit të avancuar të raketave të mbrojtjes ajrore Patriot

18:15 (23:15 GMT): Nancy Pelosi, kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, bën foto me Zelensky përpara takimit të tij me Kongresin e SHBA

19:30 (00:30 GMT): Zelensky mban një fjalim në Kongres

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›