Pollo: Tragjedia, mësim për grupet publike
Ministri dhe kryetari i PDR-së, Genc Pollo, ka bërë me dije dje se tragjedia e Gërdecit është një mësim për ato grupe interesi publike. Deklarata e Pollos ka ardhur vetëm pak minuta përpara se të fillonte mbledhja e djeshme e qeverisë. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kanë qenë të pranishëm të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar. Ministrat aleatë kanë shpresuar që në përfundim të mbledhjes, Kryeministri të organizojë një mbledhje të posaçme me ta, për të qartësuar situatën, por kjo gjë nuk ka ndodhur, çka ka futur në konfuzion edhe më të thellë aleatët e Partisë Demokratike. Në karrigen e ish-ministrit Fatmir Mediu ishte e ulur zëvendësministrja e Mbrojtjes, Zana Zhuka, ndërkohë që ministrat e tjerë kanë lënë pezull gjithçka që kishin për të qenë të pranishëm në mbledhjen e qeverisë. Ditën e martë, Kryeministri ka thërritur në zyrën e tij ministrin e dorëhequr për të zhvilluar një takim kokë më kokë, i cili zgjati më shumë se dy orë. Pjesa tjetër e aleatëve nuk janë të informuar për të ardhmen e kabinetit, nëse do të jenë apo jo pjesë e ndryshimeve apo nëse lideri i mazhorancës do të kënaqet vetëm me largimin e kryetarit të republikanëve, Fatmir Mediut.