E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tusk: Fjalët e Obamës kanë goditur polakët

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit amerikan, Barak Obama, i cili i është referuar ish-kampit nazist në Poloni si kampi polak i vdekjes.

Fjalët e djeshme të presidentit të Shteteve të Bashkuara, zotit Barak Obama, për kampet polake të vdekjes, kanë goditur të gjithë polakët. Ne gjithmonë reagojmë në të njëjtën mënyrë kur injoranca, mungesa e njohurisë apo vullneti i keq çon në keqinterpretim të historisë. Kjo është veçanërisht lënduese për ne në Poloni vendin që ka vuajtur si askush tjetër në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka thënë Tusk para gazetarëve në Varshavë.

Obama i ka bërë ato komente duke i ndarë Medaljen Presidenciale të Lirisë luftëtarit polak të rezistencës, Jan Karski.

Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare në administratën e Obamës, Tomi Vitor, ka thënë se presidenti është shprehur gabimisht.

Varashava kritikon në vazhdimësi mediat globale kur i referohen ish-kampit nazist si polak. Ajo thotë se termi, edhe nëse përdoret vetëm si tregues gjeografik, e paraqet Poloninë si përgjegjëse të gjenocidit të Gjermanisë naziste, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosllav Sikorski, ka shkruar në Twitter-in e tij se Shtëpia e Bardhë duhet të kërkojë ndjesë për gabimin e  panevojshëm. (rel)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›