Presidentja Jahjaga takon sekretaren Clinton
(E plotësuar) Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, e cila ndodhet për një vizitë në Vilnus të Lituanisë, u takua sot me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.
Sekretarja Clinton e shprehu gëzimin e saj për zgjedhjen e zonjës Jahjaga në postin e Presidentes së Kosovës.
Ajo i ka ofruar mbështetjen Presidentes Jahjaga dhe Kosovës në të gjitha proceset që ka vendi përpara, sipas një komunikate shtypi të Presidencës.
Presidentja Jahjaga e falënderoi sekretaren e Shtetit për mbështetjen e vazhdueshme që ajo dhe SHBA i kanë dhënë Kosovës dhe tha se roli i SHBA për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm në proceset e integrimeve evropiane.
Presidentja e Kosovës po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare "Gratë Forcimi i Demokracisë: Praktikat më të mira", në kryeqytetin e Lituanisë.
Jahjaga takon presidenten e Finlandës
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, në margjinat e konferencës që po zhvillohet në Vilnius të Lituanisë, u takua me presidenten e Finlandës, Tarja Halonen. Presidentja Jahjaga me këtë rast tha se Bashkimi Evropian duhet të hapë mundësitë për qytetarët e Kosovës, duke i ofruar vendit udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.
Në njoftimin për media thuhet se presidentet e të dyja vendeve diskutuan për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Finlandës dhe fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Presidentja finlandeze, Tarja Halonen, tha se vendi i saj e ka mbështetur Kosovën dhe do të vazhdojë ta ndihmojë atë në rrugën e saj të integrimeve evropiane. Ajo po ashtu vlerësoi se BE-ja është e përkushtuar që i gjithë Ballkani të bëhet pjesë e familjes evropiane, përmes përmbushjes së standardeve të përcaktuara, që janë të rëndësishme për anëtarësim në BE..
Sipas saj, ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore në Ballkan është i rëndësishëm për rrugën e integrimeve evropiane.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e vlerësoi ndihmën dhe kontributin që Finlanda ka dhënë dhe vazhdon të japë për Kosovën. Ajo e njoftoi presidenten finlandeze për nismën për krijimin e grupit “Miqtë e Kosovës”, ku do të përfshihet edhe ish-presidenti finlandez Martti Ahtisari, dhe i cili grup do të ndihmojë në prezantimin e Kosovës në botë.
Jahjaga tha se njohjet e reja për Kosovën do ta ndihmonin në rrugën e saj drejt integrimeve dhe në veçanti këtë do ta ndihmonte njohja nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë pranuar Kosovën.
Ajo tha se marrëveshja kontraktuale me BE-në do të përshpejtonte reformat e brendshme dhe do të hapte perspektivën evropiane për Kosovën. Jahjaga po ashtu tha se BE-ja duhet të hapë mundësitë për qytetarët e Kosovës, duke i ofruar vendit udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.
Presidentja e Kosovës tha se dialogu me Republikën e Serbisë duhet të ketë sukses dhe se zgjidhjet duhet të jenë evropiane, që do të ndihmojnë të dyja vendet në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane njëkohësisht.