E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuna e Prishtinës po shqyrton vendet për xhami

Nga Express më 30 qershor 2011 në ora 20:00

Komuna e Prishtinës edhe njëherë e informojmë opinionin e gjerë se kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, ka pasur dhe ka takime të rregullta me kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe asaj të Prishtinës, ku në këto takime është biseduar përveç tjerash edhe për mundësin e caktimit të një lokacioni për ndërtimin e një xhamie në lagjet qendrore të qytetit, si dhe caktimin e një lokacioni për ndërtimin e një Qendre Islamike në territorin e komunës.

Edhe në takimin e fundit midis kryetarit Mustafa dhe kreut të Bashkësisë Islame, myftiut Naim Tërrnava, të mbajtur më 16 qershor të këtij viti, përveç tjerash është biseduar për lokacionin e Xhamisë në pjesën qendrore të Prishtinës, thuhet ne nje komunikate shtypi të Komunës së Prishtinës.

Udhëheqja e Bashkësisë Islame e Kosovës, ka paraqitur para organeve të komunës kërkesën për ndarjen e lokacionit përball Institutit Albanologjik, në lagjen “Ulpiana”, si lokacion të mundshëm për ndërtimin e Xhamisë.

Komuna e Prishtinës dhe kreu i saj janë duke e trajtuar seriozisht këtë kërkesë si dhe kanë para vetës disa lokacione tjera në lagjet qendrore të qyteti.

Pas procedurave të rregullta, normale në shqyrtimin e lokacioneve të mundshme, Komuna e Prishtinës do të takohet me kryesinë e Bashkësisë Islame për t’u pajtuar dhe për të filluar procedurat e parapara ligjore për ndarjen e lokacionit për ndërtimin e Xhamisë.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës është duke shqyrtuar edhe hapësirën e mundshme për Qendrën Islamike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›