Presidentja Jahjaga takon sekretaren amerikane Clinton

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë ditës së sotme pritet të takohet me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me ç’rast do të mbahet edhe ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Jahjaga është duke qëndruar në një vizitë 10 ditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përveç me sekretaren Clinton, presidentja do të takojë edhe ish senatorin Bob Dole, të cilit do t’ia dorëzojë “Medaljen e Artë të Lirisë,” me të cilën e kishte dekoruar ish presidenti Ibrahim Rugova.
Presidentja pritet të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, përfshirë drejtuesit e Ministrisë ë Mbrojtjes, FBI-së dhe Kryeprokurorin amerikan.
Ajo do të mbajë fjalime në dy universitete amerikane, Johns Hopkins në Washington DC dhe Monmouth University në New Jersey. (Kosovapress)