E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Shoqatat e luftës të ankohen në Qeveri për ligjin

Akuzave të shoqatave të luftës drejtuar Kuvendit të Kosovës për miratimin e Ligjit për vlerat e luftës, i cili sipas tyre nuk i përmbush kërkesat dhe nuk i përfaqëson interesat e kategorive të luftës, të martën u është përgjigjur kryeparlamentari Jakup Krasniqi, duke thënë se Qeveria e Kosovës është ajo që e njeh mirë fuqinë buxhetore, ndërsa e ka vlerësuar të rëndësishme që Kuvendi përmes këtij ligji i ka njohur vlerat e luftës së UÇK-së.

Drejtuesit e shoqatave të luftës ditë më parë e kanë kundërshtuar këtë ligj, duke kërkuar nga presidentja Atifete Jahjaga që mos ta nënshkruaj, por ta kthej në Kuvend dhe ligji të plotësohet edhe me beneficionet për veteranët, të cilat nuk janë përfshirë në ligjin aktual.

Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se sikur edhe disa ligje të tjera, edhe Ligji për vlerat e luftës nuk i plotëson dëshirat dhe nevojat e individëve, apo të një kategorie të caktuar, por puna e Kuvendit është që të nxjerrë ligje që ndihmojnë funksionimin e shoqërisë, ngritjen e kualitetit të jetës së saj dhe funksionimin normal të institucioneve shtetërore.

“Ju e dini që ligjet procesohen nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Kosovës është ajo që i njeh më së miri fuqinë buxhetore dhe financiare të veten për t’i përmbushin kërkesat financiare që dalin nga një ligj. Prandaj ne jemi përpjekur që t’i kryejmë dhe t’i njohim vlerat e luftës me ligj dhe kjo është e rëndësishme, kurse për çështjen e veteranëve të luftës, mendoj që janë disa kritere dhe disa parime që duhet një komision i veçantë t’i plotësojë që pastaj Kuvendi ta miratojë një ligj të veçantë për veteranët e luftës së UÇK-së”, është shprehur Krasniqi.

Përfaqësuesit e shoqatave të luftës, kanë vlerësuar se me miratimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të familjeve të tyre, u treguar pafytyrësia e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Por, shefi i grupit më të madh opozitar, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri porosit shoqatat e luftës që ankesat t’i drejtojnë në Qeverinë e Kosovës.

“Nuk mund t’ia hedhin fajin kryesor Kuvendit. Të gjithë e dimë që ka qenë një premtim, sepse projektligjet i përgatitë qeveria, i përgatisin ekspertët dhe në krye të kësaj qeverie dihet kush është, ai që i ka zhvilluar bisedimet me ta. Atëherë nëse ka mangësi kërkojini te kryeministri dhe te Qeveria e Kosovës. Edhe shoqatat atje duhet ta kërkojnë këtë”, ka thënë Beqiri.

Ai ka dhënë edhe arsyetimin pse edhe opozita e ka miratuar këtë ligj, me gjithë mospajtime me shumë pika të tij.

“Këtu ka qenë mundësia ose ta përkrahësh një projektligj që sadokudo i zgjidh disa çështje të këtyre kategorive, ose të dalim nesër në pozitën, mos të them të akuzohemi, që nuk e kemi përkrahur një projektligj që ka të bëjë me veteranët, me dëshmorët me familjarët e tyre”, ka thënë Beqiri.

Përfaqësuesit e shoqatave të luftës kanë kundërshtuar miratimin e ligjit, në të cilin nuk janë të përfshira edhe të drejtat e veteranëve të luftës së UÇK-së, dhe me pretendimin që të bëhet ligj i veçantë. Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se më vonë do të shihet që të bëhet ligj i veçantë për veteranët, por kjo për shoqatat e luftës është i papranueshëm, ngase konsiderojnë se kjo është padrejtësi, për faktin se familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe veteranët janë kategori që veprojnë si një trup dhe duhet të kenë një ligj të përbashkët. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›