E Diel, 1 Nëntor 2026

KDI: Kuvendi lektorues i projektligjeve të Qeverisë

Kuvendi i Kosovës është bërë lektorues i projektligjeve të Qeverisë dhe se qasja e tillë e komisioneve, duke bërë vetëm lektorimin e projektligjeve, pa ndërhyrë në pjesën përmbajtjesore, ndonjëherë i bën projektligjet të pazbatueshme, u tha në një konferencë për media të KDI-së, ku u paraqiten të gjeturat e raportit mujor për monitorimin e Kuvendit të Kosovës.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me kushtetutshmërinë e disa neneve të Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësit e deputetit, që flasin për pensionimin suplementar dhe moshën që deputetë do të gëzonin pensionin suplementar.

Besnik Ramadanaj nga KDI, tha të martën se nga të gjeturat e raportit për muajin nëntor aspekt pozitiv në raport me Kuvendin e Kosovës mbetet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në raport me Ligjin e të drejtave dhe përgjegjësitë e deputeteve. KDi, sipas tij ka konsideruar që ky ligj është antikushtetues dhe në kundërshtim të plotë me gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, si dhe është diskriminues për kategoritë tjera të punësuarve në vend.

Çështje tjetër, sipas Ramadanajt është edhe rregullorja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, e cili sipas tij ka shkuar aq larg, sa edhe pjesëmarrjen e publikut në mbledhjet e komisionit e ka komplikuar dhe kufizuar deri në masën sa, për të marrë pjesë në mbledhjet e këtij komisioni duhet të bëhet kërkesë formale, të paktën 24 orë para mbajtjes së mbledhjes, dhe më pas të pritet përgjigje nëse ka hapësirë të mjaftueshme në sallat e mbledhjeve për t’i mundësuar publikut të marr pjesë në këto takime. Ai tha se si e tillë, kjo dispozitë është diskriminuese dhe në kundërshtim të plotë me praktikat parlamentare dhe vet Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Me këtë rast Komisioni për Buxhet dhe Financa, jo që e ka zvogëluar mundësinë e transparencës, por ka shkuar absolutisht në regres. Konsiderojmë që është një masë tepër rigoroze që e zvogëlon transparencën, që e zvogëlon qëllimin edhe te publiku, por edhe te organizatat monitoruese. Komisioni ka shkuar deri në atë masë të kërkojë të paktën 24 orë para mbajtjes përgjigje, nëse se do të lejohet apo jo monitorimi i saj. Si e tillë kjo dispozitë është diskriminuese dhe në kundërshtim të plotë me praktikat parlamentare”, tha ai.

Me këtë KDI, i bën thirrje edhe Kryesisë së Kuvendit ta shqyrtojë këtë rregullore dhe ta anulojë atë, pasi që është në kundërshtim të plotë me standardet demokratike.

Fakt shqetësues në lidhje me këtë rregullore, sipas Ramadanajt mbetet fakti se ky komision i ka krijuar vetës lehtësi në atë mënyrë që ka krijuar grupe punuese për të bërë shqyrtimet buxhetore. KDI, sipas tij edhe pse ka bërë kërkesë të marrë pjesë në shqyrtimet buxhetore, shpërndarjes së projekteve kapitale, është refuzuar, gjë që ngrit dyshime për mundësinë e keqpërdorimeve.

Gjetje tjetër e evidentuar nga KDI, për muajin nëntor është edhe raporti i auditorit për Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili i ka dhënë notë të rëndë kësaj ministrie. Ramadanaj tha se Kuvendi i Kosovës, në kuadër të shqyrtimit të raporteve të Zyrës së auditorit të pasqyrave financiare, ka konstatuar gjendje të rënde sa i përket MPB-së dhe Policisë së Kosovës.

Shqetësues, sipas Ramadanajt mbetet fakti që gjetjet e auditorit për këtë ministri nuk janë fare të reja, ato trashëgohen nga viti në vit dhe përkundër rekomandimeve që i janë bërë, ato nuk janë zbatuar. KDI, kërkon nga Kuvendi që në bazë të përgjegjësive të veta kushtetuese, të marrë masa në këtë drejtim për të siguruar që financat publike, të shfrytëzohen në mënyrë të ndershme në përputhje me ligjin për financa publike.

“Jemi në një situatë kur MPB si institucion që siguron rend dhe ligj, jemi përballë me një situatë kur ata janë vetë pjesë e këtyre shkeljeve. Kërkojmë nga kuvendi që përmes mekanizmave të saj të bëjë presion përmes udhëheqësit të këtij digasteri, që të merr masa ndaj shkelësve të ligjit. Kemi shkelje serioze dhe është serioze, kur kemi parasysh faktin se çfarë roli ka kjo ministri”, tha ai.

KDI po ashtu e quan shkelje të rëndë të demokracisë rolin e Komisionit të Kuvendit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione, i cili sipas tyre po shqyrton kërkesa të cilat janë në shqyrtim nga gjykatat e që bie ndesh me ndarjen e pushteteve.

Natyra Kasumaj akuzoi Kuvendin se është bërë lektorues i projektligjeve të Qeverisë dhe se qasja e tillë e komisioneve, duke bërë vetëm lektorimin e projektligjeve, pa ndërhyrë në pjesën përmbajtjesore, ndonjëherë i bën projektligjet të pazbatueshme.

“Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të krijojë kapacitete e duhura humane, në bazë të administratës së vet dhe krejt puna në shqyrtimin e projektligjeve po kryhet nga stafi politik, i cili në të shumtën e rasteve nuk i ia kualitetet e duhura për t’i bërë analizat e nevojshme të efektshmerisë së një projektligji në sistemin ligjor. Projektligjet vijnë të punuar mjaftë dobët nga Qeveria e Kosovës dhe pastaj puna e komisioneve parlamentare po determinohet nga kualiteti i tyre”, tha ajo.

KDI rekomandon që Kuvendi i Kosovës të sigurojë dhe të angazhojë staf me kualifikimet e duhura dhe të nevojshme për të bërë shqyrtimin e projektligjeve, të cilat deri tani kanë munguar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›