E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jovanovic: Qeveria serbe arsyetohet si Milosevici

Nuk duhet qytetarëve t’u ofrohen alibi për dështimin e politikave të integrimit evropian, me arsyetimet dhe zëvendësimet e tezave të fabrikuara për kushtet dhe pengesat e reja nga Evropa, që gjoja para 9 dhjetorit politikanët serbë i kanë refuzuar si patriotë, ka thënë Cedomir Jovanovic, kryetar i Partisë Liberal-Demokratike të Serbisë, duke reaguar në deklaratat e presidentit serb, Boris Tadic, dhe zëvendëskryeministri Ivica Dacic, se BE për statusin e kandidatit kërkoi nga Serbia që ta njohë Kosovën.

“Kjo është mënyra e arsyetimit të Milosevicit. Trembja dhe fshehja prapa iluzioneve dhe falsifikimit të realitetit ende po u servohet njerëzve në Serbi. Nuk ka kërkesa të reja nga BE. Kërkesat për kandidaturën kanë qenë të njohura që një kohë të gjatë, sidomos kur në gusht në Beograd i ka sqaruar kancelarja gjermane”, ka thënë Jovanovic, transmeton Blic.

Ai ka shtuar se atëherë ka qenë e qartë se Beogradi duhet të sigurojë që jeta në veri të Kosovës të zhvillohet qetë dhe normalisht, e që në ndërkohë të arrihen dhe të realizohen në mënyrë efikase të gjitha marrëveshjet nga dialogu i Brukselit.

"Evropa me vite ka qenë frazë për qeverinë, e cila në këto pozicione ka ardhur duke premtuar evropianizimin e vendit dhe anëtarësim sa më të shpejtë në BE. Tash është bërë edhe alibi për dështim”.

Sipas Jovanovicit, kjo qeveri do ta mbarojë mandatin duke e lënë Serbinë në fund të Evropës, sepse është e paaftë të zgjidhë problemet kryesore të saj. (Telegrafi)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›