Presidentja Jahjaga, uron për Fitër Bajramin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.
“Të gjithë qytetarëve të besimit islam të Republikës së Kosovës dhe të mbarë botës, ju uroj ditën e Fitër Bajramit, me dëshirat më të mira që këtë festë ta kalojnë me familjarët, me të afërmit dhe me miqtë, në atmosferë gëzimi, hareje e mirëkuptimi, në begati, me sofrat e mbushura plot me të gjitha të mirat që ju ka dhuruar Zoti. Festa e Fitër Bajramit vjen pas muajit të madhërishëm të Ramazanit, muajit të agjërimit, të lutjeve, të përkushtimit, të forcimit të besimit, të përkujdesjes dhe ndihmës së ndërsjellë”, thuhet më tej në urimin e presidentes.
“Kjo ditë na rikujton që t`i kthehemi veprave të mira, sinqeritetit dhe ndershmërisë, forcimit të bindjes për të punuar mirë dhe drejt dhe në dobi të të gjithëve për një të ardhme të ndritur në misionin human të njeriut si krijesë e Perëndisë” ka thënë Jahjaga.