E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizje të gabuara

Diplomati amerikan, Philip Reeker është treguar i ashpër me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai i quajti të gabuara dhe të dëmshme protestat e kësaj partie. E, sjelljen e Policisë së Kosovës në protestën e së shtunën, e quajti profesionale. Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, të hënën takoi krerët e Qeverisë me të cilët bisedojë për dialogun Prishtinë-Beograd.

Vizita e tij në Kosovë ka rastisur pikërisht dy ditë pas protestave të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndihmësi i Sekretarit të shtetit amerikan, Philip Reeker, ka vizituar të hënën Kosovën, ku është takuar me krerët e Qeverisë Kosovës.

Në takime ka biseduar kryesisht për dialogun Prishtinë-Beograd, derisa në një intervistë për televizionin publik ka goditur rrastë Lëvizjen e Albin Kurtit që po bllokon rrugën në emër të reciprocitetit me Serbinë.

Sipas burimeve të Express’it gjatë takimeve të mbajtura është diskutuar rreth vazhdimit të dialogut me Serbinë si dhe marrëveshjes e cila pritet të nënshkruhet në vazhdën e tij.

“Bëhet fjalë për marrëveshjen për pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale si dhe organizatat ndërkombëtare po ashtu është diskutuar edhe rreth implementimit të marrëveshjeve të deritanishme”, ka thënë një zyrtar i lartë i Kryeministrisë, në kushte anonimiteti.

Ndër të tjera, sipas burimit, thuhet se është diskutuar edhe për pikat e ardhshme të cilat do të diskutohen në dialog.

“Kryesisht do të flitet pra për fusnotën dhe atë çfarë do të shkruhet në të, tashmë ka disa opsione por jo zgjidhje konkrete”, ka thënë burimi në Kryeministri.

Edhe Zyra për informim e Kryeministrit Thaçi ka lëshuar një njoftim për media ku thuhet se Kosova ka marrë mbështetje të fortë amerikane për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Theks të veçantë ka pasur për dialogun e bisedimeve teknike me Serbinë në Bruksel, për implementimin e marrëveshjeve të arritura dhe për përmbushjen e parakushteve për hapjen e perspektivës euroatlantike”, thuhet në njoftim.

Vetë Zëvendëssekretari amerikan nuk ka pranuar që pas takimeve me Thaçin dhe Tahirin të deklarohet për media.

Për më tepër mediave u është ndaluar të lëshojnë sallën e konferencave në Kryeministri përderisa Reeker u largua nga ndërtesa.

Mirëpo jo për të gjitha mediat u tregua aq i mbyllur.

Në një intervistë për Radio Televizionin Publik të Kosovës, Philip Reeker është shprehur kundër protestës të së shtunës kur Lëvizja Vetëvendosje kishte bllokuar pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë.

Ai e ka quajtur aktin e Vetëvendosjes si të pajustifikueshëm dhe të panevojshëm.

“Sa i përket ngjarjeve të fundjavës duhet të përkujtojmë se asnjë parti politike nuk e ka të drejtën që ta marrë ligjin në duart e veta dhe do ta kisha theksuar atë që kanë thënë zëvendësi i zonjës Ashton në Bruksel që ka qenë një mënyrë e pajustifikueshme dhe e papërshtatshme për të shprehur mendimin për të bllokuar lirinë e lëvizjes, lirinë e tregtisë dhe një përdorim të dhunshme të tillë në vend”, ka thënë Reeker.

Ai për më tepër iu ka rikujtuar VV’së se jetojmë në shekullin 21 në të cilin problemet nuk zgjidhen përmes rrugëve, por me negociata të vazhdueshme dhe përmes institucioneve përkatëse.

“Ky është shekulli 21 në të cilin jetojmë dhe në botë negociatat dhe tregtia e lirë janë të nevojshme. Nuk duhet të zgjedhim problemet përmes rrugëve por ti shfrytëzojmë institucionet në vend”, ka thënë Reeker.

Sipas tij, veprimet e Policisë së Kosovës kanë qenë profesionale.

E sa i përket protestave të paralajmëruar nga VV për 22 janar, Reeker ka kërkuar nga udhëheqësit e partive politike të jenë më të përgjegjshme dhe të shmangin dhunën dhe inkurajimin për dhunë.

“S’ka vend për dhunë, askush nuk do që t’i kthehet dhunës në këtë vend”, është shprehur ai.

Ndërkohë në lidhje me situatën në veri të Mitrovicës, ka thënë se Serbisë tanimë u janë caktuar kushtet për anëtarësim në BE, duke iu bërë të ditur se nuk ka ndarje të Kosovës.

“Ne kemi deklaruar shumë qartë se nuk ka vend për ndryshim të kufijve, këmbim territoresh apo ndarje. Kjo nuk është mënyra se si duhet të zgjidhen problemet por rruga më e mirë është përmes dialogut, sundimit të ligjit si dhe edukimit në lidhje me të arriturat e deritanishme”, ka deklaruar zëvendëssekretari amerikan Philip Reeker.

Ky i fundit ka bërë të ditur se javën që vjen do të marrë pjesë në mbledhjen e Grupit Ndërkombëtarë të Krizave ku do të skutohet për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë.

“Aty do të marrim pjesë së bashku me Kryeministrin dhe tani është koha që ta shohim këtë vend duke lëvizur përpara. Do të diskutohet për të arriturat dhe situatën e krijuar për të nxjerr një përfundim”.

Ndryshe kjo është hera e parë pas 5 muajve kur është emëruar në postin e tij që Reeker viziton Kosovën.

Ai ka ritheksuar mbështetjen amerikane për Kosovën. Ndërkohë që ka lavdëruar Qeverinë aktuale për të arriturat e deritanishme dhe për një qasje serioze ndaj dialogut me Serbinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›