E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama u soll në mënyrë arrogante, nuk e mbante dot bashkëbisedimin”

03-05-2013 / Gazeta 55

Komisioni Hetimor kërkon të dëgjojë Edi Ramën dhe Egin Cekën. Flet regjisorja austriake

Incidenti i ndodhur në Akademinë Diplomatike të Vjenës mes liderit socialist Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka ka pasur dëshmitarë të shumtë. Disa prej tyre, kanë nisur tashmë të japin dëshmitë e tyre në media të ndryshme. Websit-i “Balkan Insajt” ka intervistuar regjisoren austriake Eva Hausberger, e cila e ka parë debatin mes tyre, por jo incidentin, pasi është larguar nga salla sapo ka nisur përplasja verbale mes Ramës e Cekës. “Kur ndodhi incidenti me Cekën, pash vetëm fillimin por më pas dola nga salla. Gjëja tjetër që pash ishte kur Egini doli dhe më pas një mik më tha se ata kishin nisur të debatonin. Por ma merr mendja që ishte shumë larg përplasjes fizike”, u shpreh Eva Hausberger, producente filmash. Hausberger thekon se Akademia Diplomatike e prezantoi Ramën në një mënyrë jokorrekte, pasi u fol për një lider të mençur, por në të vërtetë ai u tregua arrogant në sesionin e pyetje - përgjigjeve. “Rama u prezantua si një lider i mençur, që e kishte bërë Tiranën një qytet të bukur dhe që mund të jetë fitues i zgjedhjeve të ardhshme. Por ajo çka unë pashë, ishte një Ramë arrogant, që u shmangej pyetjeve… buzëqeshte dhe përgjigjej për atë që donte vetë, ndonjëherë duke thënë gjëra të pavërteta”, deklaroi ajo. Incidenti i Vjenës u pasqyrua edhe në gazetën më të madhe austriake, “Der Shtandard”, në një shkrim të shoqëruar me titullin “Tërbohet shefi i socialistëve”.
Tashmë, ajo çfarë ndodhi me 24 prill është bërë objekt hetimi i një komisioni parlamentar. Ndërkaq komisioni Hetimor Parlamentar mbi incidentin në Vjenë mes Ramës dhe Cekës është mbledhur sërish sot dhe ka diskutuar listën e dëshmitarëve që do të thirren për të rrëfyer mbi ngjarjen. Paulina Hoti kërkoi dje gjatë mbledhjes që mediat të paraqesin materialet filmime rreth ngjarjes, kurse Ministria e Punëve të Jashtme çdo dokument rreth këtij takimi të Edi Ramës të kryer në Vjenë. Kryetari Komisionit, Fatbardh Kadilli theksoi se tek lista e dëshmitarëve që do të thirren për të dëshmuar në Komisionin Hetimor Parlamentar do të jenë dhe Edi Rama dhe Egin Ceka si dhe organizatorin i këtij takimi, Fate Velaj. Brenda listës përfshihet dhe ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Vili Minarolli dhe ministrit te Jashtëm, Aldo Bumçi. Gjatë incidentit të ndodhur në Akademinë Diplomatike të Vjenës, nga ana e Ministrisë së Jashtme shqiptare dhe mazhorancës u tha se Edi Rama i kishte tërhequr veshin Egin Cekës dhe e kishte dhunuar, pas një debati për problemet në diplomacinë shqiptare. Siç edhe parashikohej, opozita nuk ishte prezente në punimet e mbledhjes pasi e ka cilësuar hetimin parlamentar, të jashtëligjshëm.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›