SHBA dhe BE, dy ekspertë me mandat special pranë KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të jetë nën vëzhgim të rreptë të dy ekspertëve me mandat special nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian. Këtë fakt e konfirmoi dje një zyrtar i lartë perëndimor, gjatë një bashkëbisedimi informal me disa analistë dhe gazetarë të njohur në vend, duke deklaruar se nëse për 21 Janarin mbërriti një hetues i huaj për të garantuar hetime të pavarura e njëjta filozofi do përdoret për zgjedhjet e 8 Majit me vëzhgimin nga afër të gjithçkaje do të ndodhë në institucionin qendror të menaxhimit të proceseve elektorale. Diplomati analizoi gjerësisht situatën prag zgjedhore në Shqipëri dhe rëndësinë që ka mbarëvajtja e procesit të 8 Majit. Në vlerësimin e tij teoria e prioritetit të stabilitetit mbi demokracinë nuk është parim i tyre. “Kjo është diçka e konsumuar, e lodhur”, tha zyrtari gjatë bashkëbisedimit ndërsa insistoi në faktin se perëndimi nuk është i pozicionuar “pro” ose “kundër” njërës palë në Shqipëri. Ai insistoi se ndërkombëtarët do të vazhdojnë të flasin qartë dhe kuptueshëm për klasën politike pavarësisht se e cilit krah është ajo. Interesi i faktorit ndërkombëtar nën vlerësimin e diplomatit është garantimi i zgjedhjeve të drejta dhe të lira dhe në këtë linjë ushtron presion ndaj politikës në Shqipëri. Diplomati i lartë theksoi faktin se është e vështirë të gjesh një mekanizëm garancie për zgjedhjet e lira dhe të drejta, si dhe konfirmoi një lloj lodhjeje që vërehet nga dyshimet pa fund të opozitës për procesin. Një vend delikat në bisedë zuri dhe roli informal që kanë në opinion publik qëndrimet e diplomatëve perëndimorë në Shqipëri dhe mënyra se si ata përdoren nga qeveria dhe opozita. Një bashkëbisedim i tillë vjen pas debatit të hapur kohët e fundit në media në lidhje me qëndrimin e ambasadorëve të huaj të akredituar në Tiranë në raport me zhvillimet politike. Pak ditë më parë eksponentë të caktuar të opozitës deklaruan se ambasadorët duhet të bëjnë siç duhet punën e tyre. Partia kryesore e opozitës vazhdon të deklarojë se në Shqipëri nuk ekzistojnë kushtet për zhvillimin normal të zgjedhjeve ndërsa ka insistuar në arritjen e një marrëveshjeje për transparencën pas zgjedhore ashtu sikurse edhe për verifikimin e listave të zgjedhësve. Një tjetër propozimi i dhënë prej socialistëve ka qenë futje e pajisjeve që do të verifikonin kartat e identitetit në komisionet e votimit. Deri më tani palët kanë hasur në qëndrime të ndryshme pa patur mundësinë të bien dakord ndërsa koha e mbetur duket se nuk lë vend për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor.