E Diel, 1 Nëntor 2026

Presioni çek, qeveria favorizon CEZ-in në kurriz të shqiptarëve

Tiranë- Edhe njëherë qeveria shqiptare ka treguar se është e gatshme të bëjë lëshime në kurriz të shqiptarëve. Vizita e kryeministrit çek në Tiranë duket se ja ka arritur qëllimit për të bindur qeverinë shqiptare të lehtësojë financiarisht kompaninë CEZ. Qeveria ka pranuar të rishikojë vendimin e entit rregullator të energjisë ERE, i cili rriti çmimin me të cilin KESH i shet energji CEZ.

Vendimi i cili ka hyrë në fuqi që prej 1 Janarit të këtij viti, e rriti çmimin me të cilin CEZ blen energji nga KESH nga 1.48 lekë për kilovat orë në 2.83 lekë, pa ndryshuar tarifën fundore që paguajnë konsumatorët. Por pas bisedimeve mes dy kryeministrave,qeveria shqiptare ka pranuar të bëjë lëshime, duke premtuar rishikimin e këtij vendimi. Lajmi konfirmohet edhe nga mediat çeke.

E përditshmja Prage post shkruan se dy kryeministrat kanë arritur një marrëveshje, sipas të cilës kompania mëmë në Pragë angazhohet të investojë më shumë kapital për të përballuar humbjet financiare të CEZ në Shqipëri, dhe në këmbim qeveria shqiptare do rishikojë zinxhirin e çmimeve të energjisë. Burime konfidenciale thanë për Top Channel se varianti më i mundshëm është ai që çmimi i KESH të zbresë nga 2.83 në 2.2 lekë për kilovat, dhe e gjithë kjo ulje kalon si rritje e çmimit që përfiton CEZ.

Llogaritjet tregojnë se nëse pjesa e çmimit që përfiton KESH ulet nga 2.83 lekë 2.2 lekë për kilovat, të ardhurat e koorporatës publike të energjisë tkurren me 33 milionë dollarë në vit, para që do kalojnë nga arka e saj tek ajo e kompanisë CEZ. Por KESH ndodhet vetë në krizë të rëndë financiare. Thatësira e vitit të kaluar dhe borxhet e parapambetura të CEZ, të cilat tashmë kanë arritur në 100 milionë dollarë, i kanë rrënuar financat e koorporatës.

Kjo do të thotë se barra financiare e rishikimit të çmimeve do u ngarkohet sërish qytetarëve, pasi qeveria do detyrohet të japë të tjera para nga buxheti për të garantuar importin e energjisë sikur bëri vitin e kaluar. Në finale rishikimi i çmimeve, do të thotë se për tre vitet e ardhshme, qeveria shqiptare do të subvencinojë me 100 milionë dollarë të tjera CEZ, shifër kjo e barabartë me borxhet që kompania çeke ka ndaj KESH.

Burimi i lajmit: Top Channel

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›