E Diel, 1 Nëntor 2026

Prespa, projekti i Kombeve të Bashkuara pritet t’i ndryshojë fytyra

30/03/2009  Nën vëmendjen dhe të tre shteteve fqinj projekti i integruar në funksion të basenit ujor të liqenit

KORÇE- Tashmë e në vijim, ujërat e liqenit të Prespës, gjithë hapësira e shtrirjes së saj, pyjet dhe kullotat, do të jenë nën një monitorim të mirëfilltë, i cili do të zgjasë deri në konsolidimin e plotë të vlerave që përmban kjo zonë, të cilat në të vërtetë janë vlera nga më të veçantat, më të spikaturat dhe më të vlerësuarat. E vërteta është se baseni ujor i Prespës ka tërhequr në vazhdimësi vëmendjen e tre qeverive ndërkufitare, Shqipëri-Maqedoni-Greqi, ku secila prej tyre ka dhënë kontributin e vet dhe në mënyrë të veçantë qeveria shqiptare. Pas gati dy vjetësh, gjithë resurset turistike, ujore, tokësore dhe mjedisore do të kenë shfaqur realisht vlerat e tyre. Gjithçka do të realizohet përmes projekteve dhe fondeve që do të implementohen gjatë dy viteve të fundit, pa llogaritur këtu fondet për rikonstruktimin e rrugëve, të cilat janë projekte në zbatim. Për rrjedhojë liqeni i Prespës do të ketë të gjitha shanset për të qenë një nga zonat më të frekuentuara si nga vizitorët vendas dhe turistët e huaj. Gjithçka e thënë më sipër është e lidhur ngushtësisht me Projektin e Integruar në funksion të basenit ujor të liqenit të Prespës, ku pjesëmarrës në këtë projekt janë: Shqipëria, Maqedonia dhe Greqia. Projekti në fjalë ka nisur nga implementimi i tij 3 vjet më parë, por tashmë ai gjendet në fazën më interesante të tij, pasi aktualisht po hidhen hapa konkretë mjaft të rëndësishëm për këtë zonë. Projekti është financuar nga Qendra Botërore e Mjedisit, ndërsa po vihet në zbatim nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara. Tashmë po synohet në fuqizimin e mekanizmave rregullues për zbatimin e ligjeve për mbrojtjen e mjedisit, për mbrojtjen e ujërave, mirëpërdorimin e tokës, por edhe për planifikimin hapësinor në gjithë shtrirjen e saj ku gjendet kjo zonë. Ndërkaq do të vendosen edhe 3 stacione agrometeorologjike, monitoruese, të cilat do të bëjnë të mundur, matjen e përhershme të parametrave meteorologjik, por më e rëndësishmja dhe që rrjedh prej këtij instalimi, ka të bëjë me faktin se flora dhe fauna e basenit ujor të Prespës do të jenë krejtësisht të mbrojtura nga çdo lloj sëmundje që mund të shfaqet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›