E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie akuza për trafik droge ndaj presidentit të Elbasanit

Presidenti i skuadrës së futbollit të "Elbasanit", Arben Laze, i arrestuar disa muaj më parë për trafik droge nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, do të hetohet nga Prokuroria e Lushnjës. Hetuesit e çështjes nuk kanë gjetur elementë të veprës penale të trafikut të drogës, ndërsa po diskutohet që akuza që mund të rëndojë ndaj Lazes është shpërndarja e lëndëve narkotike. Sasia prej 1 kilogramë lëndë narkotike e kapur në Lushnjë, që vuri në pranga edhe presidentin e kubit të futbollit të Elbasanit, Arben Laze, mund të ishte për konsumim të personal. Sipas hetuesve, dosja po diskutohet dhe gjatë kësaj jave do të merret një vendim përfundimtar, ku më e mundshmja është kalimi në Prokurorinë e Lushnjës, për hetime të mëtejshme. Megjithëse lënda narkotike po transportohej nga Elbasani në Fier, hetuesit nuk kanë mundur të gjejnë prova nëse heroina është futur në Shqipëri nga ndonjë vend fqinj. Kjo ka sjellë dyshime se lënda ishte për konsumim të brendshëm. Ndërkohë, një tjetër fakt që nuk përmban elementet e trafikut është se nuk ka informacion nëse sasia e drogës do të dërgohej jashtë shtetit.

Lehtësirat
Tashmë pritet që lënda e kapur disa muaj më parë në qytetin e Lushnjës, t‘i kalojë për kompetencë prokurorisë myzeqare. Mësohet se provat që do të dërgohen janë përgjime dhe vëzhgime të hetuesve të çështjes. Kalimi i dosjes nga Krimet e Rënda drejt Lushnjës favorizon Arben Lazen, ndaj të cilit ka rënë akuza e trafikut të lëndës narkotike, ndërsa do të përballet me akuzën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Si pasojë e akuzës së re, edhe masat shtrënguese ndaj tij mund të ndryshojnë. Me këtë akuzë, Laze mund të lirohet me kusht, por edhe dënimi përfundimtar mund të jetë i lehtë. Në ditët e fundit të vitit 2008, Laze është "tradhtuar" nga një pako një kilogramshe heroinë që ia kishte nisur një bashkëpunëtorit të tij në Fier. Pas ndalimit, burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda konfirmuan se prej pesë muajve po hetonin presidentin Laze, pasi dyshoje se merrej me "trafik të lëndëve narkotike" të llojit heroinë. Sipas burimeve të prokurorisë, Laze dhe miqtë e tij mbaheshin prej kohësh në përgjim. Prokuroria ka zbuluar një bisedë "interesante" mes tij dhe një personi tjetër në Fier për dërgimin e një pakoje. Hetimi i mëtejshëm ka treguar se bëhej fjalë për sasi heroine, e cila duhet të dërgohej në qytetin e Fierit. Vetë Laze ndodhej në Maqedoni dhe këtë detyrë ia ka ngarkuar të vëllait, Fatjon Laze. Ky i fundit është takuar me shtetasin Shkëlqim Hyzmo nga Lushnja dhe i ka dorëzuar pakon e mallit. Policia ishte në pritje të këtij çasti dhe menjëherë është hedhur në veprim duke arrestuar Hyzmon.

Grupi
Në momentin e arrestimit dhe gjatë kontrollit të kryer në automjetin e tij, Shkëlqim Hyzmos iu gjetën dhe sekuestruan 1 kilogram e 43 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë. Pas marrjes në pyetje dhe këqyrjes së tabulateve telefonike, është bërë i mundur edhe zbulimi i të gjithë pjesëtarëve të këtij grupi. Pas zbulimit të bashkëpunëtorëve të tjerë të Hyzmos, policia ka organizuar operacionin "Mesfushori" në tri qytete njëkohësisht duke bërë të mundur arrestimin e Arben Priftit, Arben Lazes dhe Fatjon Lazes. Presidenti Laze është arrestuar rrugës për t‘u kthyer në Elbasan nga pika kufitare e Maqedonisë. Ndërkohë, arrestimi i shtetasit Fatjon Laze është kryer në qytetin e Elbasanit dhe shtetasi Arben Prifti u arrestua në qytetin e tij në Fier. Sipas burimeve nga prokuroria, mësohet se porositësi i drogës prej një kg heroinë ka qenë shtetasi Arben Prifti, i cili i ka kërkuar presidentit të sport-klub "Elbasani" Arben Laze që t‘ia siguronte. Gjatë masave të sigurisë, Laze do të pohonte se droga nuk ishte tij, por e vëllait, Fatjonit. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe Fatjoni, duke përjashtuar nga grupi Arben Lazen.

Laze, peng pasurinë për lirimin

Presidenti i Elbasanit, Arben Laze, ka ofruar pasurinë e tij në këmbim të lirisë, por Gjykata e Krimeve të Rënda nuk e ka pranuar duke e lënë në qeli. Gjykata nuk pranoi kërkesën e avokatit mbrojtës të shtetasit Arben Laze për ndryshimin e masës së sigurisë për klientin e tij nga ai i arrestit me burg në arrest shtëpie kundrejt garancisë pasurore. Avokati mbrojtës i Lazes nuk parashtroi shumën e cila do të ishte "peng" për hetimin e presidentit, duke e lënë përcaktimin e shumës mbi bazën e përllogaritjeve të vetë gjyqtarëve, por kjo kërkesë nuk u mor në konsideratë nga togat e zeza të gjykatës. Seanca u zhvillua më 26 dhjetor të 2008-ës, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›