E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimi i nevojshëm për vjetërsinë e punës

30/03/2009  Si të përfitojnë pension kategoritë që asnjëherë nuk kanë qenë në marrëdhënie pune

Skema përcakton dhe zbritje të pagesës për blerjen e vjetërsisë

Përfitimin e pensionit mund ta gëzojnë edhe ato kategori që nuk kanë punuar asnjëherë. Megjithatë, kjo e drejtë mund të përfitohet vetëm në rastet kur personat që para se të mbushin moshën e duhur të daljes në pension e sigurojnë këtë vjetërsi pune duke kontribuar në skemë. Kjo do të thotë se këta persona duhet të paguajnë sigurimet vullnetare si për vitet që kanë kaluar, ashtu dhe vitet në vijim, para se të mbushin moshën e përfitimit. Në rast se plotësohet ky kriter, vitet e siguruara në mënyre vullnetare ndihmojnë në sigurimin e vjetërisë së punës për të përfituar të drejtën e pensionit kur të plotësohet kriteri “moshë”. “Bazuar në këto kushte, këta persona mund të sigurohen në skemën e sigurimit vullnetar si për vitet e kaluara, ashtu dhe për vitet në vijim. Për të përfituar një pension të pjesshëm, një individi do t’i duhen jo më pak se 15 vjet sigurim. Me 15 vjet sigurim shoqëror ai përfiton një pension të barabartë me 42,8 për qind të pensionit të plotë (15/35 ). Sipas mundësive financiare që individi ka, me rritjen e viteve të sigurimit, proporcionalisht rritet dhe masa e pensionit. Aktualisht masa e kontributit për sigurimin vullnetar është 3544 lekë. Sigurimi vullnetar mund të paguhet për 3 muaj, 6 muaj ose për gjithë vitin. Për pagesat e parapaguara nga Instituti i Sigurimeve aplikohen edhe zbritje në përqindje të caktuara.”

Përgjigjet sipas rasteve konkrete

Unë nuk jam e punësuar dhe qëndroj në shtëpi, jam shtëpiake. Duke qenë e tillë, unë doja të dija si mund të sigurohen vitet e punës pa qenë në punë. Jam 40-vjeçe, më quajnë Hamide. Jam në pritje të përgjigjes suaj.

“E nderuar zonjë, për shqetësimin që keni, po ju tregojmë rrugën e zgjidhjes, si dhe sugjerimet tona gjithnjë në funksion të zgjidhjes së problemit. Nga problemi që keni, kuptoj se ju nuk keni fare vjetërsi në punë dhe nuk e shikoni të mundur punësimin tuaj. Në këto kushte, ju mund të siguroheni nëpërmjet sigurimit vullnetar. Nëpërmjet kësaj skeme mund të siguroni vitet e kaluara apo vitet në vazhdim. Bazuar në ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, ju plotësoni kushtet për pension në moshën 60-vjeçare. Në kushtet që jeni mund të siguroheni në skemën e sigurimit vullnetar si për vitet e kaluara, ashtu dhe për vitet në vijim. Për të përfituar një pension të pjesshëm, do t’ju duhen jo më pak se 15 vjet sigurim. Me 15 vjet sigurim shoqëror përfitoni një pension të barabartë me 42,8 për qind të pensionit të plotë (15/35 ). Sipas mundësive financiare që keni, me shtimin e viteve të sigurimit, proporcionalisht ju rritet dhe masa e pensionit. Aktualisht masa e kontributit për sigurimin vullnetar është 3544 lekë. Sigurimi vullnetar mund të paguhet për 3 muaj, 6 muaj ose për gjithë vitin. Për pagesat e parapaguara nga ISSH-ja aplikohen zbritje. Për parapagimin 3-mujor nga shuma ulet 1.5 për qind, për parapagimin 6-mujor ulet në 3 për qind të shumës dhe për parapagimin vjetor ulet 6 për qind e shumës.

Ju sugjeroj që të veproni sa më shpejt për të pasur mjete jetese në moshën e tretë.”

A mund të merret pension i pjesshëm? Kam mbi 15 vjet që kam punuar në shtypshkronjë. Jam 53-vjeçe. Kam 18 vjet vjetërsi në punë, por përsëri nuk përfitojë pension, pasi s’kam mbushur akoma moshën. Nuk i di ligjet mirë dhe s’di se ku të drejtohem. A mund të më thoni se ku mund të informohem për të marr pension, çfarë procedurash duhet të ndjek?

“Me moshën që keni ju, plotësoni kushtet për pension kur të keni mbushur moshën 60 vjeç. Me vjetërsinë totale në punë prej 18 vjet ju do të përfitoni një pension pasi të keni plotësuar moshën 60 vjeç në masën 54 për qind. Nuk mund të përfitoni pension të reduktuar, që mund të jepet në moshën 57-vjeçare, mbasi për të përfituar këtë lloj pensioni do t’ju duhej një vjetërsi pune prej 35 vjet. Edhe ju nëpërmjet skemës vullnetare, mund të shtoni vjetërsinë në punë, duke paguar vullnetarisht për vite të shkuara apo në vijim.”

Jam një zonjë nga Librazhdi. Kam punuar 17 vjet në kooperativë bujqësore. Dy vjet kam punuar në një ndërmarrje private. Jam siguruar vetëm 13 vjet si e vetëpunësuar në bujqësi. Jam e datëlindjes 1956. Edhe sa vjet të tjerë duhen për t’u siguruar dhe për të përfituar pension si ata që janë në qytet?

“Për të përfituar një pension të plotë shteti, është e domosdoshme që të keni një vjetërsi në punë prej jo më pak se 15 vjet, nga të cilët më shumë se ½ e vjetërsisë të jetë në punë shteti. Aktualisht ju keni 17 vjet në kooperative bujqësore dhe 13 vjet si e vetëpunësuar në bujqësi, që konsiderohen vite pune me shtetin. Për të përfituar pension të plotë shteti, ju duhet të siguroheni edhe 5 vjet si e vetëpunësuar në bujqësi.

Ju sugjeroj që, nëse keni vite të prapambetura nga sigurimi si e vetëpunësuar në bujqësi, të siguroheni sa më shpejt, pasi deri në fund të muajit mars 2009 është në fuqi ligji 9986, datë 11.09.2008, që fal kamatëvonesat dhe për të vetëpunësuarit në bujqësi.”

Jam Noja nga Lapraka, 46 vjeç dhe punoj në ndërtim. Për disa kohë kam punuar në të zezë, sepse kam pasur nevojë për para dhe s’mund t’u kundërvihesha pronarëve. Kam disa muaj që punëdhënësi po paguan kontribute, por ato janë për një pagë më të ulët sesa ajo që marr normalisht. Shqetësimi im është se në të ardhmen kam nevojë të siguroj një pension të mirë, pasi do të jem i moshuar dhe do të kem shumë nevojë për para. Kurse tani mund t’ia dalë mbanë dhe me më pak të ardhura. Në këto kushte, pyetja ime është: a mund t’u shtosh kontributeve të punëdhënësit të tjera kontribute, në mënyrë që të shtohet vlera e pensionit në të ardhmen?

“Duke qenë se ju punoni në ndërtim, në qoftë se keni një kualifikim, punëdhënësi nuk mund t’ju paguajë me pagë për pension minimal. Po kështu dhe në qofte se nuk jeni i kualifikuar, përsëri paga nuk mund të jetë për pension minimal. Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 285, datë 4.05.2007, punëdhënësi duhet t’ju paguajë sipas pagave referuese, të cilat ju sigurojnë një pension mesatar apo maksimal. Sigurimi vullnetar shërben vetëm për ata persona që nuk janë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore. Pra, sugjerimi im është që të kërkoni nga punëdhënësi që kontributet të paguhen sipas pagës reale që paguheni aktualisht, që sipas vendimit të mësipërm të Këshillit të Ministrave nuk mund të jetë më e vogël se paga referuese.”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›