E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga shqiptare e mafia që e trafikon në Itali

30/03/2009  Mënyrat e ekzekutimit të shqiptarëve, anëtarë të organizatave mafioze apo grupeve të organizuara kriminale që operojnë në Itali nuk është edhe aq e ndryshme nga metodat tradicionale që përdorin gjigantët e mafies italiane. Pistoletë e drejtuar në fytyrë dhe shkrepje e menjëhershme, ndoshta me ndonjë mesazh paraprak para të shtënave, teksa motivi mbetet i pandryshueshëm për një hakmarrje të vijueshme. Shifrat flasin për dhjetëra të rinj shqiptarë të vrarë në Itali për prishje të pazareve të drogës. Tërheqja mënjanë e ndonjë sasie kokaine dhe heroine, humbja e kontaktit me personin që ka shitur mallin dhe mosdërgimi i drogës në destinacionin e përcaktuar nga bosët e familjeve të mëdha mafioze janë disa nga shkaqet kryesore të vrasjeve të bashkëkombësve tanë. Raportet Antimafia, Ministria e Brendshme, shërbimet inteligjente dhe strukturat e Prokurorisë së Italisë shpeshherë kanë lëshuar alarmin edhe deri në Parlament se tashmë s’ka asnjë diskutim se ligjin në këtë shtet përveç Kamorrës, Koza Nostrës e Ndragetës, e bëjnë pikërisht shqiptarët, grupet e të cilëve janë organizuar më tepër se kurrë më parë, duke marrë poste drejtuese kryesisht në trafikun e kokainës dhe heroinës nga Holanda si dhe të hashashit, produkt që sillet në Itali drejtpërdrejt nga vendi që e mbjell, pra Shqipëria. Egërsia me të cilën bosët shqiptarë ndëshkojnë të pabindurit si dhe lidhjet ndërkontinentale me eksportuesit më të mëdhenj të kokainës dhe heroinës janë dy prej cilësive unike të grupeve mafioze shqiptare, ç’ka i bën ata më të paprekshëm se kurrë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›