Rivotimet më 31 janar

Votuesit në Prizren dhe Lipjan do të dalin për herë të tretë te kutitë e votimit më 31 janar që të zgjedhin kryetarët e komunave përkatëse për katër vitet e ardhshme, përderisa rinumërimi i fletëvotimeve të Gjilanit ka pak gjasa që të kryhet brenda ditëve të mbetura të këtij viti.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të hënën për këtë datë pas një propozimi që bëri Sekretariati i tij.
Duke e vlerësuar këtë si ‘datë optimale’, Kryeshefi Ekzekutiv i SKQZ’së, Xhemajl Peqani ka paraqitur planin operativ për këtë proces.
Vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve në Prizren dhe Lipjan ka ardhur javën e kaluar, pasi për këtë kishte vendosur Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) për shkak të numrit të madh të parregullsive që ishin shfaqur në ditën kur janë mbajtur votimet e balotazhit, më 13 dhjetor.
Kjo do të jetë hera e parë në historinë e zgjedhjeve të Kosovës që përsëritet një proces.
Në të njëjtën kohë, KQZ’ja dje kërkoi nga Sekretariati i saj që gjatë ditës së sotme të dalë me një plan tjetër operativ më të detajuar rreth rinumërimit të votave në komunën e Gjilanit.
“Nesër do ta keni një plan të detajuar se kur do të fillojë procesi i rinumërimit të votave duke filluar prej tavolinave, prej ndërrimeve, prej ndarjes së pozitave, prej vendeve. Do të thotë se do të jetë një plan i detajuar për procesin e rinumërimit dhe të hetimit”, tha Peqani.
Deri në ditën e rivotimit, KQZ’së i duhet që të shpallë tenderin për shtypjen e fletëvotimeve, ta ketë listën përfundimtare të votuesve dhe ta bëjë ndërrimin e këshillave të vendvotimeve.
Anëtarët e KQZ’së kanë kërkuar që plani operativ të jetë konkret dhe të përfshijë edhe kohën e saktë se kur do të mund të nisë rinumërimi.
Nga aspekti financiar, përsëritja e votimeve në këto komuna pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 500 mijë euro.
Varësisht nga rezultati i hetimit, do të dihet nëse edhe Gjilani do t’iu bashkohet Prizrenit dhe Lipjanit për rivotim më 31 janar, pasi që KQZ’ja, duke trajtuar veç e veç secilën nga këto komuna, në rastin e Gjilanit nuk përfilli tërësisht udhëzimin e KZAP’së për rivotim.
Në mbledhjen me pak debate, anëtari i KQZ’së nga LDK’ja, Florian Dushi ka kërkuar prani të shtuar ndërkombëtare në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ditën kur do të hapen për hetim dhe më pas rinumërim rreth 130 kutitë e votimit brenda të cilave qëndron enigma se kush do ta udhëheqë Gjilanin në katër vitet e ardhshme.
“Kërkesa ime është që të sigurohet një prani ndërkombëtare. Përndryshe, ne nuk jemi duke e zhvilluar një proces të rinumërimit të thjeshtë, por kemi thënë se do të zhvillojmë edhe një hetim. Mendoj se kjo për të gjithë ne do të ishte shumë e mirëseardhur”, ka thënë Dushi.
Propozimi i tij është mbështetur nga të gjithë anëtarët e KQZ’së
Në këtë mënyrë, zyrtarë të Sekretariatit janë shprehur se një hapësirë e veçantë pranë tavolinave të rinumërimit në këtë qendër është paraparë për vëzhguesit e interesuar.
Por, interesimi i tyre, megjithatë nuk pritet të jetë i madh.
Shefi i misionit monitorues amerikan të organizatës IFES, Tched Flego u shpreh dje se përkundër dëshirës, ky mision nuk mund të bëjë shumë në këtë fazë të procesit.
“IFES-i për momentin do të mund të siguronte vetëm një grup të stafit lokal, diku 5 njerëz për të bërë rinumërimin dhe kjo do të mund të bëhej vetëm nesër apo pasnesër. Kjo do të ishte e mundshme në aspektin kohor”, u shpreh Flego.