E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha mes politikanit të mirë dhe qytetarit të keq



Para katër vitesh ishte artikuluar ideja se djaloshi i KOP-it, Lulzim Basha, që ishte pjesë e rëndësishme e make up-it modern të PD-së, do të ishte avangarda e Partisë Demokratike; pse jo, e nesërmja e saj. Por tashmë që Berisha është në fundin e mandatit, rioshët e tipit Basha, djemtë e qeshur dhe idealistët e djathtë, nuk janë më të tillë. Edhe vetë kritikët brenda së djathtës po e ndiejnë dhe e kanë shprehur publikisht njëfarë zhgënjimi për kopistët, të cilët nuk ngurruan t’i etiketonin si materialistët e Partisë Demokratike. Vetë Basha është njëri ndër ata të shënjestruar, i cili u vu në qendër të shumë akuzave për afera që në fillimin e punës së tij si ministër i Transporteve. Dosja e rrugës “Durrës-Kukës”, që mban firmën e tij ministrore, apo edhe disa përfolje për skandale, filluan ta zbehnin gradualisht buzëqeshjen e tij. Nisja e hetimeve nga Prokuroria e Përgjithshme për tenderin miliardësh të projektit patriotik e vuri në sprovën më të vështirë politikanin e ri të PD-së. Ai kishte arritur dhe ende arrin të komportohet mirë, edhe publikisht, në përballjen me akuzat që i ka bërë opozita e majtë. Por, në momentin që veprimet e tij u futën në filtrin e Prokurorisë, sjellja e Bashës duket e moduluar në mënyrë të shtirur. Që në fillim ai dhe kolegët e tij në Kuvend hezituan t’i hiqnin “mantelin” e deputetit, por, pas presionesh dhe të ndodhur në kurthin e moralit të heqjes së imunitetit, deputeti iu rikthye, pa dashje, statusit të qytetarit; pra u detyrua të vihet në rresht, si gjithë të tjerët, i barabartë para ligjit. Pikërisht në momentin që ai ishte pa mandatin e imunitetit, filloi të sillej si politikan. Ftesat dhe fletëthirrjet e vazhdueshme të Prokurorisë në drejtim të qytetarit Basha për të dëshmuar për abuzimet me fondet e shqiptarëve morën përgjigjen prej “deputeti” nga ana e tij. Në asnjë moment qytetari Basha nuk i është përgjigjur thirrjes së ligjit, vetëm në rastin kur, edhe pa vullnetin e tij, shkoi të përballej me kryeprokuroren Ina Rama në zyrën e saj, me armët e ministrit dhe përfaqësuesit të maxhorancës, e cila më pas do të përbaltte armën e vet që zgjodhi për të fituar betejën kundër krimit dhe korrupsionit. Axhenda e tij prej kryediplomati është mbushur me plot “cross-table” e “tour-e” rreth e rrotull globit, pa shumë dobi për diplomacinë dhe shtetin shqiptar, ndërsa karrigia e të “dyshuarit” apo e të “pandehurit” Basha në sallën e gjyqit ka mbetur vazhdimisht bosh. Edhe veprimi i fundit i Lulit, ku parapëlqeu për t’u vënë në rolin e pazhit, në grupin e shoqërimit të kryeministrit Berisha në Davos, dhe jo për të bërë detyrën e tij ligjore dhe morale, për t’u vënë në dispozicion të Drejtësisë, është shembull i alternativës së zgjedhur prej politikani. Edhe në ditën që ai duhej të ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, para trupit gjykues, para prokurorëve, që tashmë kanë filluar të ndihen të ligsht para tij, Basha gjen sebepin e radhës dhe bind gjasme veten se qoka e së nesërmes është shumë më e rëndësishme për veten dhe kombin, sesa dorëzimi i tij para Drejtësisë. Edhe në seancën e ardhshme, me siguri i akuzuari Basha do ta ketë gjetur justifikimin. Ai do ta refuzojë thirrjen e Drejtësisë jo se nuk do, por se kështu duhet të veprojë i graduari Basha. Në këto katër vjet ai ka fituar “gia” statusin e “politikanit të mirë”, por ka humbur si qytetar i “mirë”, gjë që do ta kuptojë vetëm kur të testohet për herë të dytë. Dhe nuk do të jetë e largët dita kur do të ndodhë një gjë e tillë.

30 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›