Dëbora izolon 3 mijë banorë në Korçë
Zyra e Emergjencave Civile pranë Prefekturës në Korçë njoftoi se zonat e izoluara janë: Dardha, Vithkuqi, Lekasi, Lozhani, Moglica, Mokra. Lëvizja me makina në këto zona është e pamundur për shkak të trashësisë së dëborës
Korçë- 3 mijë banorë të izoluar nga dëbora në juglindje, strukturat lokale në gjendje gatishmërie. Dimri ka shfaqur problemet e para serioze në qarkun e Korçës. Reshjet e dëborës të rëna gjatë 24 orëve të fundit kanë izoluar totalisht disa zona të thella malore, ndërsa më shumë se 3 mijë banorë të to nuk kanë asnjë komunikim me kryeqendrën e juglindjes, Korçën. Por për fat të mirë nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike që mund ta bënte gjendjen edhe më serioze.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare të Zyrës së Emergjencave Civile pranë Prefekturës në Korçë, mësohet se zonat e izoluara janë: Dardha, Vithkuqi, Lekasi, Lozhani, Moglica, Mokra. Përsa i përket lëvizjes me makina në këto zona, rrugët momentalisht janë të bllokuara, ndonëse po punohet për hapjen e tyre. Në këto pjesë të qarkut të Korçës trashësia e dëborës ka arritur nga 30-40 centimetra, ndërkohë që për fat të mirë nuk ka pasur emergjenca shëndetësore përsa i përket shëndetit të popullatës së këtyre zonave.
Ndërkaq në segmentin Korçë-Kolonjë në Qafën e Qarrit, ku trashësia e borës ka kaluar të 30 centimetrat, lëvizja e automjeteve mund të bëhet e kushtëzuar vetëm me zinxhirë. Në të njëjtën situatë është dhe segmenti Ersekë-Leskovik. Gjithashtu me zinxhirë janë të kalueshme akset nacionale, si Korçë-Kapshticë, Korçë-Pogradec dhe Pogradec-Qafë-thanë. Përsa i përket zonave ku ka dëborë dhe qarkullimi bëhet me zinxhirë, mjetet borëpastruese kanë qëndruar për 24 orë në gatishmëri të plotë, teksa policia e qarkullimit rrugor është e gjitha e shpërndarë në patrulla në këto rrugë, për të parandaluar aksidentet që mund të shkaktohen nga mospërdorimi i zinxhirëve. Gjatë 24 orëve të fundit temperatura minimale e regjistruar ka qenë -4 gradë celsius, ndërsa reshjet parashikohet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Irena Vreto