Pretenca për Gërdecin, seanca nesër në 9:00

Nga gjyqi i Gërdecit
UPDATE- Gjykimi i shumëpërfolur ndaj të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, i nisur në korrik të vitit 2009, në Gjykatën e Tiranës, eshte tashme në fazën përfundimtare.
Sot Prokuroria nisi leximin e pretencës për 29 të pandehurit e tragjedisë që shkakoi 26 viktima, 300 të plagosur dhe shkatërroi qindra banesa.
Treshja gjyqësore që shqyrtoi këtë dosje, pas afro 180 seancash, ia ka lënë tashme fjalen prokurorise për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Gjatë leximit të pretencës në seancën e sotme prokuroria tha se janë shkelur të gjitha rregullat e sigurimit teknik, të cilat më pas kanë çuar në tragjedinë e rëndë.
Prokurori, deklaroi se Ylli Pinari, drejtor i MEICO-s, Mihal Delijorgji, pronar i kompanise Albademil, Dritan Minxholli dhe Sokol Ngjeci, drejtues të fabrikes së demontimit, akuzohen për vrasje në rrethana cilësuese, në bashkepunim, duke shkaktuar vdekjen e 26 personave.
Pretenca ishte caktuar te jepej ne datën 3 tetor, por per shkak te dosjes shume voluminoze dhe numrit të madh të të pandehurve në të, u kërkua një shtyrje dy javore e këtij afati.
Seanca e rradhës është lënë për nesër në orën 9:00, ku do të vazhdohet me leximin e pjesës së mbetur të pretencës.
Dosja është mjaft voluminoze, rreth 500 faqe, ku sipas prokurorëve do të duhen edhe të paktën dy seanca të tjera për të përfunduar leximin e saj.