E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeremiç: Jo raportit të Ban Ki-Moonit, pa kushtet e Serbisë

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç ka deklaruar se Serbia nuk do të përkrahë raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, nëse ai raport nuk ngërthen të gjitha kushtet që i ka kërkuar Serbia.

Në një prononcim për B92, ai ka thënë se, “nuk duhet kushtuar vëmendje deklaratave të ndryshme të zyrtarëve evropianë për arritjen e marrëveshjes me Beogradin për vendosjen e EULEX-it në Kosovë”, por, sipas tij, “është me rëndësi përmbajtja e raportit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon”.

Sipas shefit të diplomacisë serbe, “për rikonfigurimin e UNMIK-ut, zyrtarët e Serbisë kanë biseduar kryesisht më përfaqësuesit e OKB-së”.

Të martën, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, do të prezantojë raportin, për të cilin, sipas tij “ekziston pajtimi parimor se si duhet të duket ai”.

Ai po ashtu ka thënë se nëse nuk përfshihen kushtet e Serbisë në raportin e sekretarit Ki-Moon, atëherë Serbia do t’i thotë jo raportit, dhe nuk do të ketë “vendosje të ligjshme të EULEX-it në Kosovë” – ndërsa nëse ndodhë e kundërta, atëherë sipas tij, "pro këtij raporti do të jetë edhe Rusia dhe ai do të miratohet". /Telegrafi/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›