E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretendimet e Karaxhiçit për imunitet, Haga i hedh poshtë



Komisioni i Apelit në Gjykatën e OKB-së për krime të luftës hodhi poshtë pretendimet e ish-udhëheqësit të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, për imunitet nga ndjekja penale. Ky vendim mban në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët në muajin dhjetor se çdo marrëveshje për imunitet ndaj ndjekjes penale për një të akuzuar do të ishte e pavlefshme. Gjykata e Hagës tha se imuniteti për Karaxhiçin do të ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Karaxhiçi pretendon se i dërguari amerikan për paqe, Riçard Hollbruk, kishte rënë dakord për një marrëveshje që i jepte imunitet ndaj gjykimit ish-udhëheqësit serb nëse ai tërhiqej nga jeta publike. Ambasadori Hollbruk ka mohuar se ka bërë një marrëveshje të tillë. Por Gjykata e Hagës i dha urdhër prokurorisë që t’i japë Karaxhiçit çdo dokument nga takimi me zotin Hollbruk në vitin 1996, përfshirë procesverbalet e ndonjë bisede rreth çështjes së imunitetit.

Lavrov: “Të shmanget destabilizimi i Ballkanit”

“Pa marrë parasysh dallimet rreth çështjes së Kosovës, Rusia dhe Sllovenia janë kundër destabilizimit të Ballkanit”. Kështu u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, pas takimit zhvilloi në Moskë me homologun e tij slloven, Samuel Zbogar. “Pozicioni ynë ndaj Kosovës është i njohur. Edhe pse mes nesh ekzistojnë dallime në interpretimin e çështjes së Kosovës, e kuptojmë detyrën që e kemi të gjithë para nesh, domosdoshmërinë e shmangies së çfarëdolloj aktiviteti që mund të shkaktojë destabilizimin e Ballkanit”,- deklaroi Lavrov. Ministri i Jashtëm rus pas takimit në Moskë po ashtu tha se, janë të përafërta qëndrimet e këtyre dy vendeve ndaj forcimit të shtetësisë së Bosnjë-Hercegovinës.

9 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›