Ahtisari, i zhgënjyer nga disa vende të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën
Blerina Olldashi
Ish-Presidenti i Finlandës, Marti Ahtisari, i cili ka qenë edhe kryenegociator për çështjen e Kosovës, ka shprehur zhgënjim për disa vende të Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur ende shtetin e ri. Megjithatë, ai tha se shpresonte që me kalimin e kohës ato do të ndryshonin qëndrim lidhur me këtë çështje.
“Jam i zhgënjyer që disa nga vendet anëtare nuk e kanë njohur Kosovën. Shpresoj që disa prej tyre ta bëjnë herët a vonë, pasi kjo ka pasur një efekt negativ në procesin e zgjerimit të BE-së dhe kjo për mua është shumë më shqetësuese”. Fituesi i çmimit “Nobel” për Paqe i bëri komentet për “Zërin e Amerikës” pas një takimi në Klubin Kombëtar të Shtypit në Uashington, ku ai foli kryesisht për zgjidhjen e konflikteve më të mprehta në botën e sotme si Lindja e Mesme, Afganistani dhe Iraku. Ahtisari e konsideroi faktin e njohjes së afro 60 vendeve si një sinjal pozitiv për ndryshim të situatës. “Fakti që afro 60 vende e kanë njohur Kosovën është shenjë e mirë dhe ato përbëjnë 60-70 për qind të ekonomisë botërore. Pra është një fillim i mirë. Ky proces do të shpejtohet dhe shpresoj sinqerisht që edhe vendet e botës islamike të fillojnë ta njohin Kosovën”,- tha Ahtisari. Diplomati finlandez deklaroi se tani që marrëdhëniet SHBA-Rusi duket se po përmirësohen, edhe Moska do ta njohë një ditë Kosovën. “Mendoj se si amerikanët, ashtu edhe rusët, e dinë se Kosova është tashmë një shtet i pavarur dhe do të mbetet e tillë. Mendoj se ata nuk duan të harxhojnë kohë dhe të flasin për Kosovën prandaj Kosova nuk duhet të jetë dhe aq e preokupuar që nuk po flitet për të. Mendoj se kjo është shenjë e mirë”, - tha Ahtisari. Pyetjes nëse Beogradi dhe Prishtina duhet të fillojnë negociata mes tyre, ai u shpreh se nuk duhet pranuar në asnjë mënyrë që të bisedohet për statusin. “Negociata mund të ketë, por jo për çështjen e statusit. Gjithnjë ka çështje që fqinjët mund të diskutojnë, për shembull, si të përmirësohet kontrolli i kufirit, por jo për statusin”,- tha Ahtisari. Sipas tij, Kosova për momentin po zbaton vetëm disa elemente të planit pikërisht sepse ai përmban elemente të cilat nuk janë pjesë e mandatit të EULEX-it. “Qeveria ka bërë shumë gjëra që kanë çuar në miratimin e ligjeve, siç janë ato për sigurinë. Pra roli i Bashkimit Europian duhet parë si një element mbështetës në krejt procesin e zhvillimit”, - u shpreh Marti Ahtisari.
Kosova kujton njëvjetorin e miratimit të Kushtetutës
Me ekzekutimin e Himnit shtetëror filloi seanca solemne e Kuvendit të Kosovës me rastin e njëvjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij u bëri thirrje institucioneve dhe qytetarëve ta zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, sepse kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar institucionet demokratike. Edhe presidenti Sejdiu e vlerësoi lart njohjen nga Republika e Gambias dhe tha se kjo njohje është dëshmi e pakontestueshme se Kosova është vend i sundimit të ligjit. “Në aspektin e rendit juridik, dita e miratimit dhe e hyrjes në fuqi të Kushtetutës janë datat më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”,- tha Sejdiu. Dy ditë me pare Republika e Gambias njohu pavarësinë e Kosovës, duke e çuar numrin e njohjeve në 57. Gambia ndodhet në pjesën më perëndimore të Afrikës. Përveç daljes në Oqeanin Atlantik, Gambia është e kufizuar me Senegalin.
9 Prill 2009