Konflikti për pronën, parandalohet një vrasje në Kurbin, arrestohet autori
Laç – Një vrasje është shmangur vetëm në çastet e fundit në Kurbin dhe merita i shkon forcave të policisë që pas sinjalizimit, ndërhynë shpejt duke bërë neutralizimin e situatës.
Burime nga vendngjarja informuan se ngjarja ka nisur të precipitojë pas mesnatës duke gdhirë dita e djeshme. R. A., ka treguar se një makinë e markës “Benz”, me targë, LA 6631 A e disa të afërmve të tij, i është afruar tek shtëpia, me një synim, t’i merrnin jetën me plumba.
Ngjarja
Personi në rrezik, R. A., ka sinjalizuar policinë duke pohuar se disa të afërm të tij po e kërcënojnë dhe forca të Komisariatit të Kurbinit, kanë shkuar menjëherë në vendin e denoncuar. Atje kanë gjetur automjetin e mësipërm të cilit i kanë kryer një kontroll ku dhe gjetën një armë të tipit “Beretë”, si dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh. “Ne kemi kryer arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit, 49-vjeçarit Ajet Osmani, banues në Milot”, - thanë për gazetën “Albania” burime zyrtare policore. Nga hetimi doli se Ajet Osmani ka kanosur disa herë për vdekje, R. A., pasi kanë pasur një konflikt mes tyre, për arsye pronësie. Burimet hetimore treguan për gazetën se bëhet fjalë për një tokë që aktualisht shfrytëzohet nga R. A., por që Ajet Osmani, pretendon të jetë e tija. Mësohet se është bërë sekuestrimi i armës së zjarrit si dhe e automjetit ku është gjetur arma.
Rastet
Edhe në tre raste të tjera policia e Laçit ka parandaluar vraje për konflikte pronësie. Më 16 mars të këtij viti uniformat blu të Kurbinit arrestuan 59 vjeçarin Osman Hasani pas informacioneve operative për një tentativë të tij për të vrarë me armë zjarri fqinjin për një konflikt pronësie. Në banesë iu sekuestruan edhe armë. Ndërhyrja e bluve u bë në kohë, duke parandaluar kështu krimin. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 59-vjeçarit, policia bllokoi 2 armë zjarri pushkë “mod 56” si dhe dy krehra me fishekë luftarakë. Po ashtu policia e Kurbinit ka arrestuar edhe Mirash Gegën, lindur në Pukë e me banim në Fushë-Mamurras, pasi në një sherr për pronën tentoi të vrasë kushëririn e tij. Gjatë kontrollit në banesë Gegës iu gjetën dy kallashnikovë e qindra fishekë luftarakë. Po sipas informacioneve të kësaj policie është bërë edhe arrestimi i Tonin Lleshit pas kërcënimit me armë të kushëririt të tij në sherrin për konflikt pronësie. Mësohet se në momentin e përdorimit të armës, kushëriri është shmangur duke u futur në banesë. Armët e bllokuara u dërguar në laboratorin kriminalistik për të saktësuar nëse ato janë përdorur në krime të tjera.
9 Prill 2009