E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti në Itali, 260 të vdekur, 16 prej të cilëve fëmijë



Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, bëri të ditur se bilanci i të vdekurve nga tërmeti në rajonin Abruco arriti në 260, 16 prej të cilëve ishin fëmijë. 17 000 njerëz mbetën të pastrehë dhe aktualisht janë vendosur në kampe. Ditën e djeshme u gjet e gjallë nën rrënoja një 20-vjeçare, gjë që solli optimizëm për të tjerë të mbijetuar. Autoritetet u shprehën se kërkimet do të vazhdojnë deri në ditën e Pashkës. Më pas do të punohet për sigurinë e ndërtesave dhe rikonstruksionin, që do të jetë një punë e vështirë dhe e gjatë. Ndërsa Papa Benedikti XVI njoftoi se do ta vizitojë Akuilan sapo t’i krijohet mundësia. Mësohet se autoritetet italiane evakuuan gjithashtu burgun e Akuilas, ku vuanin dënimin rreth 140 persona. Vendimi u mor pas lëkundjeve të përsëritura të tërmetit të ditës së martë. Të burgosurit u transferuan në burgje të tjera të rajonit. Por situatën e krijuar në zonën e shkatërruar nga tërmeti e kanë shfrytëzuar grabitësit veçanërisht në periferi të Akuilas. Policia kontrolloi dhjetëra të dyshuar gjatë natës. Karabinierët dhe forcat e Guardia di Finanza u angazhuan për parandalimin e episodeve të tilla.
Më shumë se 1 mijë pjesëtarë të forcave të rendit qëndruan në zonat e dëmtuara nga tërmeti.

9 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›