Matura, publikohen modelet e testeve për dy provimet me detyrim
Jonida Tashi
Zbardhen modelet e testeve për dy provimet me detyrim të Maturës, Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi. Gazeta publikon sot, modelet e testeve për provimin e Matematikës dhe atë të Gjuhë-Letërsisë, që janë përdorur për testimin e maturantëve në Maturën 2008. Përveç modeleve të testeve, publikohen edhe përgjigjet e sakta për secilën pyetje. Testi i provimeve të Maturës, për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje do të jenë me përgjigje alternative (13 pikë) dhe 12 pyetje me përgjigje me zhvillim (37 pikë). Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar. Ndërsa testet e provimeve me zgjedhje të Maturës, do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 40 pikë për çdo provim me zgjedhje. Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë dy orë e 30 minuta. Kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet e provimeve me zgjedhje do të jetë katër orë. Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të provimeve të Maturës Shtetërore dhe provimeve përfundimtare është: 01 qershor 2009-10 korrik 2009.
9 Prill 2009