E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet Gerti Haxhiu, lojtarët harrojnë bojkotin

Partizani Trajneri i ri kërkon mbështetjen e lojtarëve për Superioren

Pas emërimit në krye të stolit të Partizanit, trajneri Gerti Haxhiu është prezantuar përpara skuadrës. Duke qenë se klubi i kuq është në heshtje për shtyp, ish-tekniku i Skënderbeut u njoh me futbollistët pa praninë e mediave, ndërsa mësohet se ai ka kërkuar mbështetjen e të gjithëve për t’i ngjitur “demat e kuq” në elitën e futbollit shqiptar. “Dua që të më ndihmoni për të arritur rezultate sa më të larta dhe për t’u kthyer në Kategorinë Superiore që prej sezonit të ardhshëm. Kërkoj seriozitet dhe përkushtim për fanellën, që prej miqësores së nesërme (sotme) me Olimpikun”, mësohet të ketë thënë Haxhiu. Seanca stërvitore e djeshme ka kaluar e qetë, me gjithë zërat se disa lojtarë të Partizanit kishin kërcënuar me bojkot, në shenjë proteste për largimin e trajnerit Skerdi Bejzade, i cili u pezullua nga administratori Paro Laçi, për thyerjen e rregullores së brendshme të klubit. Diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe në ambientet e klubit kryeqytetas janë paraqitur të gjithë futbollistët, të cilët kanë marrë pjesë rregullisht në seancën stërvitore.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›